(Foto: Facebook/FC Ballkani)

Qeveria nuk planifikoi asnjë cent investim për sportin në qytetin kampion të Kosovës

Në qytetin kampion të sportit në Kosovë, Suharekë, me buxhetin për vitin 2023 nuk është paraparë asnjë projekt konkret kapital për sport.

Ndonëse rezultatet e shënuara nga dy ekipet kampione në fuqi, të të njëjtit qytet,  “Golden Eagle Ylli” në basketboll dhe FC “Ballkani” në futboll dhe pjesëmarrja e tyre në garat ndërkombëtare dhe suksesit historik në historinë e futbollit ndërkombëtarë të Kosovës, në buxhetin e 2023 nuk është paraparë ndarja e mjeteve financiare për sportin në këtë qytet.

Përveç deklaratave e përkrahjes nga tribuna nga Qeveria, ato nuk u përkthyen edhe në investime kapitale, përkundër kërkesave dhe dakordimeve.

Mbi 9.8 milionë euro buxheti për sport nga MKRS

Në mbledhjen e 103-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 28 tetor 2022, Qeveria ka aprovuar Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, në vlerë 3.2 miliardë euro.

Ky projekt buxhet është miratuar në parim nga deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në seancën plenare të mbajtur të datës 17 nëntor 2022.

Në seancën plenare të datës 15 dhjetor 2022, Kuvendi e ka miratuar në lexim të dytë buxhetin për vitin 2023.

Nga gjithsej buxheti për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit [MKRS] mbi 57 milionë euro, për shpenzime kapitale janë të buxhetuara 32,040,000 euro, ndërsa vetëm për kategorinë e sportit e arritjet sportive nga MKRS është 9,867,500 euro, ku 2,080,000 euro janë projekte të reja kapitale ndërsa pjesa tjetër vazhdim i projekteve nga viti 2022.

Nga linja buxhetore për sportin, nga ministria në fjalë, nuk evidentohet ndonjë projekt konkret apo investim kapital për sportin në Suharekë.

Për të mësuar lidhur me këtë çështje dhe se a ka pas kërkesa nga komuna për të investuar në sport nga Qeveria, KALLXO.com ka dërguar pyetje në komunë.

Drejtoreshë për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë në Komunën e Suharekës, Lorika Gashi tha për KALLXO.com se pas kërkesave për takim me MKRS-në, për investimet kapitale dhe të tjera nga linja buxhetore e kësaj ministrie, ka ndodhur takimi zyrtar në komunë në shator të 2022.

“Në atë takim ne i kemi parashtruar kërkesat tona, ku mes tjerash ka qenë edhe kërkesa për kompleksin sportiv ku përfshihej edhe stadiumi i qytetit. Nga zyrtarët e tyre na është kërkuar projekt-idea të cilën ne ua kemi prezantuar.” – tha drejtoresha Gashi.

Për arsyen e mos-ndarjes së buxhetit për ndonjë projekt kapital për sportin në këtë komunë përkundër edhe kërkesave të komunës, KALLXO.com iu është drejtuar me pyetje edhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit [MKRS],

Mirëpo dikasteri qeveritar i cili merret me kulturë, rini dhe sport në Kosovë, nuk ju është përgjigjur kërkesës së KALLXO.com.

“Suksesi historik”

Klubi i futbollit FC “Ballkani”, është shpallur kampion i Kosovës në futboll i sezonin 2021/2022, për të kaluar më pas në garat ndërkombëtare, në Ligën e Konferencës.

Në ndeshjet e këtij niveli, FC “Ballkani” kishte shënuar fitore me penallti ndaj Klaksvik si mysafir, dhe ka shkruar kështu historinë duke kaluar në fazën e play-offit e Ligës së Konferencës.

Suksesi historik i portokallë-zinjëve kishte bërë që kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, të dalë me një video incizim në përkrahje të ekipit të Ballkanit në ndeshjen ndaj Sivassporit me 13 tetor 2022.

“Trajneri ju mbikëqyr e ne tifozët do të ju këqyrim sonte nga tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”, shihemi në ora 21, në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për Kosovën e për Ballkanin. Për spektakël në fushë nuk kam dyshim, për përkrahjen në tribuna mos keni merak. Kemi nevojë edhe për këto tri pikë. Forca djema” – kishte thënë Kryeministri Kurti.

Një ditë para përballjes me klubin turk – Sivasspor, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kishte pritur në takim futbollistët suharekas.

“Djelmoshat e FC “Ballkani”, nga Suhareka kanë shënuar sukses historik në garat evropiane të Ligës së Konferencës së UEFA-s. Sot pata kënaqësinë t’i pres në zyrën time, t’i përgëzoj për sukseset e deritashme edhe t’u uroj fitore, nesër në përballje me ekipin  “Sivasspor” – kishte shkruar Osmani pas takimit.

Foto: telegrafi.com

Aktualisht, në renditjen e “Albi Mall Super Liga”, pas përfundimit të sezonit vjeshtor, skuadra e “Ballkanit” është në pozitën e dytë me gjithsej 38 pikë po aq sa ka edhe ekipi “Drita” nga Gjilani që është në pozitën e parë.

‘Ylli që po ruan ndriçimin’

Me fitoren e 14-të me radhë dhe me gjithsej 32 pikë të grumbulluara deri më tash sipas tabelës së Federatës së Basketbollit të Kosovës [FBK],  “Golden Eagle Ylli”  është lider i “Prince Caffe Superligë”, dhe pretedent për titullin e kampionit edhe për këtë sezon.

Klubi i Basketbollit nga Suhareka “Golden Eagle Ylli”, u shpall kampion i Kosovës në basketboll për sezonin 2020/2021 pasi kishte mposhtur Pejën me rezultat 67-70, në ndeshjen e tretë të finales së “Play Off-it”. duke e çuar serinë e finales në 3:0.

Po atë vit, suharekasit u shpallen kampion edhe të Ligës Unike.

KB “Golden Eagle Ylli”  arriti të mbroj titullin e kampionit edhe në sezonin 2021/2022. Në palestrën  “Minatori” të Mitrovicës së Jugut, duke e  mundur ekipin basketbollistik “Trepça” me rezultat 64:70, dhe pas serisë së finales fitoi 3:1 ndaj klubit mitrovicas.

Burimi_KB Ylli_ facebook
Burimi_KB Ylli_ facebook

Kampioni në fuqi i basketbollit në Kosovë vazhdoi më pas në garat ndërkombëtare.