Ministri Peci deklarohet për kompensimin e komunave të prekura nga vërshimet

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci tha se komunat e prekura nga vërshimet si pasojë e të reshurave të shiut, shumë shpejtë pritet të kompensohen.

Sipas Pecit, tashmë ekziston një raport final dhe ai është dërguar në Ministri të Financave dhe pritet që në njërën nga mbledhjet e Qeverisë të kompensohen.

“Nga shtatori i vitit të kaluar, Qeveria ka marrë vendim për themelimin e një sekretariati që funksionon brenda MPB. Tash e tutje, kompensimet për të gjitha veprimtaritë do të ekzekutohen nëpërmjet këtij sekretariati. Ne kemi informacion se tashmë ekziston një raport final dhe ai është dërguar në Ministri të Financave dhe pritet që njërën nga mbledhjet e Qeverisë të kompensohen”- ka deklaruar ai.

“Në vitin që lamë pas ne i kemi kompensuar si ministri më shumë se 2.8 milionë euro për shumicën e komunave. Ka dy komuna që nuk është bë kompensim i plotë dhe njëri rast është Rahoveci sepse nuk e kanë raportuar në formën se si është detyrimi ligjor për kompensim”- shtoi ministri.

Ai ka folur edhe për takimin e zhvilluar me kryetarët e Komunave, me ç’rast tha se një nga katër çështjet e adresuara ka qenë ajo e pronave që menaxhohet nga Agjencia Pyjeve të Kosovës e që është në drejtim të Pecit.

Ministri tha se është ofruar zgjidhje për këtë çështje përmes aprovimit të ligjit për pyjet e Kosovës.

“Prej katër çështjeve që ata i kanë adresuar ka qenë edhe çështja e pronave që menaxhohet nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës që e menaxhoj unë si institucion. Po është ofruar zgjidhje. Kemi aprovuar ligjin për pyjet e Kosovës i cili ka qenë ligj që është sillë në sirtarët e qeverive paraprake dhe tash ka dikund një muaj që kur është aprovuar dhe përmes udhëzimeve administrative do ofrojmë zgjidhje për komunat e Kosovës për projektet që janë në interes publik sikur që janë parqet, rrugët që lidhin qytetet e ndryshme dhe gjitha ato që konsiderohen që janë në interes publik”- është shprehur ai.

Peci tha se një nga arsyet e miratimit të ligjit ka qenë siç tha ai se “komunat nuk kanë treguar performancë të mirë për 12 vite në aspektin e parandalimit të prerjeve ilegale dhe menaxhimin e pyjeve të Kosovës”.

Më 19 janar 2023 disa komuna të vendit u goditën nga vërshimet pas reshjeve të dendura të shiut, e pas rënies së nivelit të ujit nëpër komunat e prekura, patën filluar të dalin në pah pasojat.

Ndër komunat më të prekura ishin Skenderaj, Drenas, Mitrovicë, Podujevë, Klinë, Deçan, Peja e Gjakova.