Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Buxheti Kosovës për vitin 2024 pritet të jetë mbi 100 milionë euro më i lartë se i vitit 2023

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024, i miratuar nga Qeveria, pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Buxheti i miratuar nga ekzekutivi i vendit rezulton të jetë mbi 100 milionë euro më i lartë në krahasim me buxhetin e këtij viti.

Buxheti për vitin 2023 që ishte miratuar nga Qeveria e më pas nga Kuvendi, ishte 3 miliardë e 212 milionë euro.

Në prezantimin e buxheti të vendit për vitin 2024 nga kryeministri Albin Kurti, para kabinetit të tij qeveritar, gjithashtu u tha se bruto produkti vendor (BPV) për herë të parë do të tejkalojë shifrën 10 miliardë euro në vitin 2024,

Kurti përmendi edhe rritjen e projektuar të të hyrave nga tatimet për vitin që vjen.

“Projeksioni për të hyrat tatimore për vitin 2024 është 2 miliardë e 705 milionë euro, e që kur krahasohet me vitin e fundit para pandemisë që është viti 2019, i bie se po mbledhim 1 miliard e 43 milionë euro më shumë apo rreth 63 për qind më shumë” – tha Kurti.