Suspendohet gjyqtari që mori vendimin për heqjen e arrestit shtëpiak për Enver Sekiraqën

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) e ka suspenduar gjyqtarin Agim Kuqi, lidhur me rastin e heqjes së masës së arrestit shtëpiak për Enver Sekiraqën, i akuzuar për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza në vitin 2007.

Vendimi për suspendimin e gjyqtarit, është marrë me shumicë të votave në KGjK.

“Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit”- thuhet në njoftimin që ka bërë KGjK-ja.

I akuzuari për shtytje në vrasje të policit Triumf Riza më 2007, Enver Sekiraqa, që nga 17.05.2024 vazhdon të mbetet i paarritshëm për Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë, ndonëse ndaj tij tashmë ekziston një vendim që të kthehet në paraburgim.

Gjyqtari Agim Kuqi është gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Enver Sekiraqa më 03.05.2024 ishte dënuar me 25 vite dënim me burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza. Në shpallje të aktgjykimit, gjyqtari i çështjes, Agim Kuqi kishte marrë vendim të veçantë me të cilin i kishte hequr masën e arrestit shtëpiak të akuzuarit Sekiraqa.

Por që Gjykata e Apelit më 17.05.2024 ka marrë vendim për ta kthyer në paraburgim Enver Sekiraqën.

Policia kishte konfirmuar se Sekiraqa nuk ishte gjendur në dy lokacione në të cilat ishte kërkuar.

Lidhur me rastin e Sekiraqës ka reaguar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj i cili në një bisedë telefonike me KALLXO.com, nuk kishte komentuar vendimin paraprak për masën e arrestit shtëpiak e tha se tashmë çdo veprim tjetër i takon vetëm gjykatës.

“Ne e kemi bërë punën tonë, rasti është tash në gjykatë çka do që keni ju lutem drejtohuni në gjykatë. Nuk është më në fazën e hetimeve nuk kemi më asgjë këtu”- kishte thënë më 18.04.2024 kryeprokurori Isufaj përmes telefonit për KALLXO.com.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar më 21.05.2024, se “arratisja” e Enver Sekiraqës “është dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia.”

“Të gjithë ata që e kanë njohur Triumfin [Riza] e përshkruajnë njëzëri si profesionist të pa shoq, i shkathët në detyrë e shumë njerëzor me qytetarët. Triumfin e kam takuar edhe unë dhe kam po këtë përshtypje. Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia. Edhe më e rëndë bëhet situata kur këso rastesh nuk bëjnë më përjashtim, nuk ngjajnë më si rastësi”- ka deklaruar Kurti.

Si u lirua Enver Sekiraqa nga masa e sigurisë dhe cili ishte vendimi i Apelit

Më 03.05.2024, Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi që Sekiraqën ta dënonte me 25 vjet burg për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës. 

Në dosjen që ka siguruar KALLXO.com jepet edhe arsyetimi pse gjyqtari Agim Kuçi vendosi që ta lironte nga masa e arrestit shtëpiak Enver Sekiraqen. 

Sipas dosjes pas shpalljes së aktgjykimit, dhe sigurimit të Sekiraqës në procedurën ndaj tij, gjykata kishte vlerësuar edhe se kishin përfunduar shkaqet për të cilat i ishte caktuar dhe vazhduar masa e arrestit shtëpiak. 

“Andaj gjykata tani ka vlerësuar se kanë pushuar të gjitha shkaqet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit dhe masa e arrestit shtëpiak, ngase i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale për të cilën është akuzuar dhe ndaj të njëjtit është bërë shpallja e aktgjykimit, andaj të akuzuarit i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, ashtu që Gjykata urdhëron që i njëjti të mbrohet në liri”- thuhet në vendimin e marrë nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Kuçi. 

Menjëherë pas këtij vendimi, Prokuroria Speciale kishte shfrytëzuar të drejtën e ankesës dhe e njëjta ishte aprovuar. 

Prokuroria Speciale kishte dorëzuar ankesën në të njëjtën datë me shpalljen e aktgjykimit në Gjykatën e Apelit e kjo e fundit më pas kishte marrë vendim që të aprovonte pretendimet dhe të rikthente Sekiraqën në paraburgim. 

Dosja të cilën ka siguruar KALLXO.com tregon edhe pretendimet e Prokurorisë Speciale dhe kërkesën e tyre që Sekiraqa të kthehej në masë të sigurisë atë të paraburgimit. 

Në ankesë thuhet se gjykata në shpalljen e aktgjykimit nuk ka marrë parasysh edhe rrezikshmërinë e veprës penale, vendin ku është kryer vepra penale, mënyrën e kryerjes, pasojat e shkaktuara duke u arsyetuar se kanë pushuar shkaqet me të cilat është caktuar dhe vazhduar masa e arrestit shtëpiak. 

“Meqenëse gjykata ka shpallur fajtor të pandehurin me burgim në kohëzgjatje prej 25 viteve të formës së prerë, andaj marrë përbazë faktin se i akuzuari është shpallur fajtor dhe se vepra është shumë e rëndë, duke marrë parasysh se ka humbur jetën një person zyrtar vendimi për lirim është i paparanueshëm”- thuhet në ankesën e Prokurorisë Speciale. 

Kolegji i Apelit kishte thënë se kishin marrë për bazë dhe kishin trajtuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale dhe kishin vendosur që ta aprovojnë ankesën dhe ta kthejnë Sekiraqën në paraburgim. 

“Kolegji ka parasysh rrethanat e këtij rasti që rrjedhë se vepra penale është e rëndë dhe se dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë është i lartë, këto dy rrethana e ngritin lartë rrezikun e arratisjes se të pandehurit poqëse i njëjti lihet i lirë për tu mbrojtur në liri”- thuhet në njërën nga paragrafet e Gjykatës së Apelit në vendimin që kanë marrë më 17.05.2024. 

Në vendimin e Apelit që ka siguruar KALLXO.com thuhet edhe se përgjigjen në ankesën e Prokurorisë Speciale e ka paraqitur avokati Besnik Berisha, i cili ka propozuar që ankesa të hidhet si e pabazuar. 

 Vrasja e policit Triumf Riza 

17 vjet më parë në Prishtinë, në moshën 27-vjeçare ishte vrarë polici i forcave speciale, Triumf Riza.

Dorasi për vrasjen e Rizës, Arben Berisha, është shpallur fajtor dhe dënuar me 35 vite burgim. Mirëpo ajo çka rezultoi të jetë sfiduese për drejtësinë është marrja e një verdikti lidhur me akuzat për shtytjen në këtë vrasje.

Në gjykim e dy rigjykime më pas, Enver Sekiraqa për herë të tretë është dënuar për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës, kësaj here me 25 vite burgim.

Vendim ky i marrë më 03.05.2024 nga trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda i kryesuar nga Agim Kuqi, me anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyqi.

Gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës i nisur në vitin 2014 ka rezultuar me dy dënime të deritanishme. Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 37 vite burgim, kurse me 30 vite burgim në vitin 2019.

Triumf Riza ishte vrarë më 30.08.2007. Sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Ani pse gjykimi ishte zhvilluar dy herë të tjera, në gjykimin e tretë që iu bë Sekiraqës dëshmuan dy dëshmitarë të paftuar më parë.

Njëri nga ta ishte shoku më i afërt i viktimës, Arben Selmanaj, i ftuar për herë të parë nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar për vrasjen e shokut të tij e të rrëfej për konfliktet në të cilat edhe vet kishte qenë subjekt.

Dëshmitari i fundit që u dëgjua ishte Gjon Kqira, i ftuar nga mbrojtja. Kqira ishte ai i cili rrëfeu versionin e tij për atë se çka ndodhi pas natës së shumëpërfolur të incidentit në “Swiss Casino”.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007. Sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Ani pse gjykimi ishte zhvilluar dy herë të tjera, në gjykimin e tretë që iu bë Sekiraqës dëshmuan dy dëshmitarë të paftuar më parë.

Njëri nga ta ishte shoku më i afërt i viktimës, Arben Selmanaj, i ftuar për herë të parë nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar për vrasjen e shokut të tij e të rrëfej për konfliktet në të cilat edhe vet kishte qenë subjekt.

Dëshmitari i fundit që u dëgjua ishte Gjon Kqira, i ftuar nga mbrojtja. Kqira ishte ai i cili rrëfeu versionin e tij për atë se çka ndodhi pas natës së shumëpërfolur të incidentit në “Swiss Casino”.