Foto: KALLXO.com

Deklarohen të pafajshëm tetë nga 12 të akuzuarit për dhënie e marrje ryshfeti

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca ndaj 12 të akuzuarve për dhënie e marrje ryshfeti në pikë-kalimin kufitar të Hanit të Elezit.

Të akuzuarit Tomisllav Dimiq, Mensur Stagova, Vlladan Lubiq, Verodrag Miletiq, Admir Sejdiu, Andrija Çaviq, Mirko Jevtiq dhe Arben Aliu janë deklaruar të pafajshëm për marrje dhe dhënie ryshfeti në pikën kufitare Hani i Elezit.

Kurse, për katër të akuzuarit e tjerë Ahmet Abazi, Sabri Spahiu, Bajram Krasniqi dhe Dardan Isaj, prokurori Naim Abazi propozoi që të veçohet procedura penale meqenëse të njëjtit kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Verodrag Miletiq, avokati Alban Makolli, e kundërshtoi këtë propozim sepse, sipas tij, ishte e padrejtë veçimi i procedurës penale për disa të akuzuar pasi që kjo do të ishte në radhë të parë në dëm të të mbrojturit të tij, i cili dyshohet se kishte marrë ryshfet pikërisht nga i akuzuari Ahmet Abazi.

Propozimi i tillë nuk u kundërshtua nga mbrojtësit e tjerë dhe u aprovua nga gjyqtarja e vetme e trupit gjykues, e cila mori aktvendim të veçohej procedura penale për të akuzuarit të cilët kishin arritur marrëveshje.

Në këtë seancë nuk ishte i pranishëm i akuzuari Ahmet Abazi, i cili e kishte pranuar ftesën në mënyrë të rregullt por mungesën e tij nuk e kishte arsyetuar. Avokati i tij bëri të ditur se i kishte dërguar mesazh por nuk kishte marrë ndonjë përgjigje.

Pasi që të gjithë të akuzuarit u deklaruan se e kanë të qartë aktakuzën dhe se nuk ndihen fajtorë për veprën penale të cilën ata po akuzohen, gjyqtarja e vetme e trupit gjykues i njoftoi se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin në Gjykatë kërkesën për hedhje të aktakuzës apo kundërshtim të provave.

Dosja e Prokurorisë Speciale

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se prej muajit shtator 2021 deri në muajin korrik 2022, në pikë-kalimin kufitar të Hanit të Elezit, gjegjësisht në Zyrën e Evidencës Paraprake, si dhe gjatë patrullimit si Njësi e Anti-Kontrabandës, në pjesën veriore por edhe në pjesë tjera të vendit, të pandehurit Tomisllav Dimiq, Mensur Stagova, Vlladan Lubiq, Verodrag Miletiq, Admir Sejdiu, Andrija Caviq, Mirko Jevtiq në cilësinë e personave zyrtarë – zyrtarë doganorë, dhe i pandehuri Arben Aliu në cilësinë e personit zyrtar – zyrtar policor, në vazhdimësi secili veç e veç por edhe duke bashkëvepruar me njëri-tjetrin, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë pranuar para në shuma të ndryshme nga vozitës të kompanive të ndryshme dhe persona të tjerë tani për tani të paidentifikuar, me qëllim që të mos e kryejnë veprimin zyrtar të cilin ata duhej ta kryenin, si mbikëqyrjen e rregullt doganore dhe kontrollin e rregullt kufitar.

Sipas aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit Tomisllav Dimiq, Vlladan Lubiq dhe Mensur Stagova, Admir Sejdiu në vazhdimësi e kanë kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.

Ndërsa për Arben Aliun dhe Verodrag Miletiqin ekziston dyshimi i bazuar mirë se e kanë kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.

Tutje, sipas aktakuzës për të pandehurit, Verodrag Miletiq, Admir Sejdiu, Andrija Çaviq dhe Mirko Jevtiq, Tomisllav Dimiq, Vlladan Lubiq dhe Mensur Stagova ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Dardan Isaj, Sabri Spahiu, Ahmet Abazi, Bajram Krasniqi ekziston dyshimi i bazuar mirë se e kanë kryer veprën penale- dhënia e ryshfetit.