Ilustrim

Kosova duhet të mësojë nga gabimet e Kroacisë në gjyqet e krimeve të luftës në mungesë

Ndërsa Kosova i afrohet anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke sjellë akses në GJEDNJ, ekspertët thonë për BIRN se ajo duhet të mbajë shënime nga gabimet e Kroacisë në kryerjen e gjyqeve për krime lufte pa praninë e të pandehurve.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ, vendosi në shkurt 2015 se Kroacia nuk mbajti një gjyq të drejtë për ish-paraushtarakun serb Mile Sanader kur ai u dënua në mungesë për krime lufte.

Vendimi i GJEDNJ erdhi 24 vjet pasi Sanader u dënua me 20 vjet burg në shtator 1991 për përfshirjen e tij në vrasjen e 27 të burgosurve kroatë të luftës në qytetin e Petrinjës.

Sanader, i dënuar në mungesë së bashku me tre paraushtarakë të tjerë serbë, apeloi 18 vjet pasi u dha vendimi që çështja të ridëgjohej në praninë e tij në 2009. Gjykata e Lartë e Kroacisë më pas hodhi poshtë kërkesën e tij dy vjet më vonë, në 2011.

Por GJEDNJ-ja tha se Kroacia nuk e kishte respektuar plotësisht të drejtën e Sanaderit për t’u mbrojtur ligjërisht sepse ai “nuk kishte mundësi të kundërshtonte gjetjet faktike të vendimit me të cilin ai ishte dënuar”.

Kosova gjithashtu ka mbajtur në gjykime në mungesë për krime lufte, duke pasur parasysh se shumë pak të dyshuar janë gjykuar që nga përfundimi i luftës në Kosovë, kryesisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit gjyqësor me Serbinë.

Prokuroria e Kosovës më 14 maj tha se kishte ngritur një aktakuzë në mungesë kundër tre personave të akuzuar për krime lufte. Në vitin 2023 janë ngritur tetë aktakuza në mungesë kundër 61 të akuzuarve.

Ndërsa Kosova e rrit fokusin në gjyqet e krimeve të luftës, 25 vjet pas luftës, ekspertët paralajmërojnë se Kosova duhet të mësojë nga Kroacia dhe të ndjekë procedurat ligjore me rigorozitet.

Nëse Kosova anëtarësohet në Këshillin e Europës, qytetarët e saj do të kenë të drejtë të kërkojnë drejtësi nga GJEDNJ-a, një opsion i pamundur deri më tani, i cili mund të ketë pasoja financiare dhe kohore.

Në mars, Komisioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Çështjet Politike dhe Demokracinë votoi për të rekomanduar që Kosova t’i bashkohet organizatës, pavarësisht kundërshtimit të Serbisë.

Në miratimin e këtij opinioni, PACE ia përcolli në mënyrë efektive Komitetit të Ministrave vendimin përfundimtar, pengesa e fundit përpara anëtarësimit.

Që atëherë, anëtarësimi i Kosovës është kushtëzuar me lëvizje konkrete për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, siç u bë e qartë kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takua me ambasadorët nga Franca, Gjermania, Italia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara në fillim të majit.

Megjithatë, qytetarët e Kosovës janë më afër se kurrë qasjes në një institucion tjetër drejtësie që do t’i mbajë autoritetet lokale përgjegjëse për shkeljet e mundshme të të drejtave të tyre.

Naim Qelaj, Avokati i Popullit i Kosovës, tha për BIRN se “standardet e GJEDNJ-së janë shumë të qarta: rritja e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve në këto raste për të shmangur çdo gabim të mundshëm procedural dhe për të respektuar standardet minimale” të të drejtave të të akuzuarve.

“Është e rëndësishme që sistemi i drejtësisë i Kosovës të dijë se të gjitha këto gjykime mund të përfundojnë në GJEDNJ”, tha ai, duke shtuar se “ishte e kushtueshme për Kroacinë sepse rastet që shkuan në GJEDNJ u kthyen pozitive për të akuzuarit, duke i shkaktuar Kroacisë dëm financiar përveç atij gjyqësor”, tha ai.

“Gjykatat në Kroaci nuk arritën të ndërtojnë një standard gjykimesh të bazuara në fakte dhe prova që vërtetojnë këto fakte… kjo nuk duhet të përsëritet në Kosovë”, paralajmëroi ai.

Të akuzuarit duhet të informohen për akuzat

Korniza ligjore e Kosovës u jep të akuzuarve garanci procedurale. Ato përfshijnë të drejtën për një mbrojtje të duhur, të drejtën për t’u njoftuar për një proces kundër tyre dhe të drejtën për rigjykim.

Një problem kyç është se do të jetë e vështirë të verifikohet nëse një person është informuar për procedurën në vazhdim kundër tyre.

Sipas raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë për vitin 2023, “me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe me të drejtën e palëve për të filluar procedura para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, këto procese gjyqësore mund të jenë mjaft të diskutueshme, duke ditur se procedurat gjyqësore në Kosovë mund të fillojnë edhe pa marrë një përgjigje zyrtare nga të akuzuarit në mungesë se ata janë në dijeni se ndaj tyre është duke u zhvilluar një proces gjyqësor”.

Avokati i Popullit Qelaj tha për BIRN se legjislacioni i Kosovës parashikon “dispozitat minimale që krijojnë mundësinë që garancitë të zbatohen në procedurën në mungesë”.

“Nëse këto zbatohen, ofrohen të drejta minimale dhe si Avokati i Popullit mund ta pranoj”, tha ai, duke shtuar se në parim mbetet kundër kësaj ideje.

Artan Qerkini, një avokat me bazë në Kosovë, tha për BIRN se “një person nuk mund të gjykohet në mungesë, nëse nuk bëhen të gjitha përpjekjet e arsyeshme për të garantuar pjesëmarrjen në gjykim”.

Korniza ligjore e Kosovës kërkon që “ftesa për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore të prezantohet në gazetën zyrtare, pastaj të postohet në komunën ku të akuzuarit kanë pasur vendbanimin e fundit, ftesa të publikohet në faqen e internetit të prokurorisë dhe gjykatës… dhe urdhërarresti ndërkombëtar”, shpjegoi ai.

Nëse i akuzuari nuk është i arritshëm, ose nuk paraqitet në gjykatë edhe “pas gjithë këtyre përpjekjeve, atëherë gjykimi mund të vazhdojë në mungesë të tyre”.

Amer Alija, avokat i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, beson se garantimi i “informimit të të dyshuarit dhe më vonë i të akuzuarit në mungesë se po zhvillohet një procedurë kundër tij” do të jetë e vështirë kur shumë nga të dyshuarit janë në Serbi.

Në mars 2022, BIRN raportoi se në raste që kishin të bënin me krime lufte të kryera gjatë luftës së Kosovës 1998-1999, bashkëpunimi ligjor midis dy vendeve ka qenë pothuajse inekzistent. Situata mbetet e njëjtë edhe tani.

“Mungesa e njohurive se kundër një personi në Kosovë po zhvillohet një procedurë është sigurisht një mangësi, të cilën gjykata e Strasburgut (GJEDNJ) me siguri do ta kërkonte si provë që Kosova duhet ta sigurojë për të vërtetuar se i akuzuari është vërtet i informuar”, tha Alija.

Vendimi i GJEDNJ-së për Sanaderin tha se nuk kishte prova që Sanaderi ishte njoftuar ndonjëherë për rastin, ose se ai nuk ishte i pranishëm në gjyqin në Kroaci sepse po përpiqej t’i shpëtonte drejtësisë.

“Nuk është treguar se ai kishte njohuri për ndjekjen penale dhe për akuzat kundër tij ose se ai kërkoi t’i shmangej gjyqit ose se hoqi dorë nga e drejta e tij për t’u paraqitur në gjykatë”, tha ai.

Kroacia u urdhërua t’i paguante Sanaderit 4,000 euro dëmshpërblim dhe 2,500 euro shpenzime.

Prandaj, “edhe pse Kosova do t’i përmbushë obligimet e saj në përputhje me ligjin, nuk do të ketë asnjë provë se i dyshuari ka qenë realisht i informuar”, tha Alija.

Autoritetet e drejtësisë të Kroacisë gjykuan rreth 38 për qind të atyre të akuzuar për krime lufte në mungesë në vitin 2017 dhe një mesatare prej 70 për qind në periudhën 2020-2023, sipas Dokumenta, një OJQ kroate që punon për dokumentimin e krimeve të luftës.

Avokatët përballen me sfida duke mbrojtur klientët jo të pranishëm

Avokati Ljubinko Todoroviç (djathtas), duke përfaqësuar të pandehurin në mungesë Milovan Jovanoviç, me përkthyesen e gjykatës në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 21 shkurt 2024. Foto: BIRN.

Të akuzuarit në mungesë në Kosovë do të përfaqësohen nga një avokat i caktuar nga shteti, i cili sipas ekspertëve do të përballet me shumë pengesa për të mbrojtur dikë që nuk është i pranishëm.

Qerkini tha për BIRN se garancia kryesore për të drejtat e të akuzuarit është avokati dhe “shteti me shpenzimet e tij do të caktojë një avokat si garant për të mbrojtur të drejtat procedurale të të pandehurit”.

Megjithatë, shtoi ai, “avokati do ta ketë shumë të vështirë sepse sipas ligjit për avokatët dhe kodit të etikës së avokatëve në Kosovë, i pandehuri dhe avokati bashkëpunojnë në krijimin e mbrojtjes, por avokati nuk do ta ketë ndihmën e të pandehurit, pasi ata po gjykohen në mungesë”.

Edhe Alija është dakord që avokatët do të përballen me pengesa. Për shembull, aktakuza më e madhe për krime lufte e ngritur nga prokuroria e Kosovës deri më tani përfshin 53 ish-anëtarë të forcave ushtarake dhe policore të Serbisë të akuzuar për masakrën e fshatit Mejë të prillit 1999, e cila la të vdekur 377 shqiptarë të Kosovës. Të gjithë po gjykohen në mungesë.

“Oda e Avokatëve do të caktojë një avokat shqiptar etnik për të përfaqësuar të pandehurit sepse ka shumë pak avokatë serbë etnikë në Kosovë”, tha Alija, duke shtuar se “mungesa e konsultimit ndërmjet klientëve dhe avokatit dhe mungesa e propozimit të provave nga mbrojtja do t’i japë avantazh prokurorisë”.

Megjithatë, duke folur për pamundësinë e të pandehurit për të informuar avokatin për vendndodhjen e tyre dhe prova të tjera të kohës së krimit të pretenduar, Qerkini tha për BIRN se “një alibi nuk është e vetmja mbrojtje. Për shembull, avokati do të ketë deklaratat e dëshmitarëve dhe mund të shohë se mund të ketë mospërputhje dhe mund ta përdorë këtë detaj. Gjithashtu, nëse ka ndonjë provë që është marrë në mënyrë të jashtëligjshme, ajo mund të kundërshtohet pavarësisht nga prania e të pandehurit”.

Alija tha për BIRN: “Do të ketë pengesa edhe për prokurorët dhe gjyqtarët”, duke theksuar se nuk do të ishte faji i tyre nëse do të ketë mangësi ligjore, pasi ligji po zbatohet aktualisht siç është.”

Rigjykimet mund të zgjasin me vite

Gjykata e Qarkut Osijek, e cila në mars 2023, dënoi në mungesë Aleksandar Vasiljeviçin, ish-kreun e Shërbimit të Kundërzbulimit të Ushtrisë Popullore Jugosllave, për krime lufte kundër civilëve kroatë dhe robërve të luftës. Foto: BIRN/Vuk Tesija

Kosova garanton të drejtën e rigjykimit në rastet kur të akuzuarit arrestohen në mes të procedurës ose duan të apelojnë pas marrjes së vendimit.

BIRN ka raportuar se drejtësisë së Kosovës i duhet shumë kohë për t’u materializuar. Gjyqet në mungesë po zhvillohen 25 vjet pasi kanë ndodhur krimet e pretenduara. Rigjykimet e mundshme mund ta vonojnë edhe më shumë drejtësinë.

“Në momentin që i akuzuari bëhet i aksesueshëm për organet e drejtësisë, ata kanë të drejtë të kërkojnë një rigjykim… për t’u gjykuar në praninë e tyre”, shpjegoi Qerkini. Nëse kjo klauzolë zbatohet siç duhet, GJEDNJ-a nuk do të ishte në gjendje të merrte të njëjtin vendim siç mori në rastin Sanader. Megjithatë, ka gjasa që procedurat të jetë shumë të gjata.

“Zgjatja e procedurave gjyqësore sigurisht që do të ndodhë sepse nëse personi arrestohet, automatikisht ka të drejtë të kërkojë rigjykim”, theksoi ai.

Shumë rigjykime fillojnë dekada pas vendimit fillestar. Për shembull, sipas raportit 2020-2021 të Dokumenta-s, shtetasi amerikan Dusko Vujnoviç u dënua në mungesë me 10 vjet burg në vitin 1997, një vendim i konfirmuar edhe nga Gjykata e Lartë e Kroacisë në shkurt 2000.

Ai kërkoi një rishikim të procedurave 20 vjet më vonë kur u arrestua në Frankfurt në vitin 2020, bazuar në një urdhër arresti evropian.

Sipas Dokumenta, në vitin 2021, në 12 për qind të procedimeve, “të pandehurit e dënuar në mungesë kërkuan rishikim të procedurës gjyqësore pasi u vunë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore të Republikës së Kroacisë”.

Qerkini shpjegoi se gjykimi në mungesë për masakrën e Mejës, me 53 të akuzuar, do të vonojë shumë kohë për të marrë një vendim, madje edhe më shumë nëse të akuzuarit paraqiten gjatë apo pas procedurës.

“Fakti që ka kaq shumë të akuzuar do të thotë se procesi do të zgjasë shumë kohë”, tha ai.

Megjithatë, ai është i sigurt se “GJEDNJ-a nuk do ta ketë të mundur të gjejë një shkelje të parimit të përfundimit të procedurës brenda një afati të arsyeshëm sepse merret parasysh sjellja e të pandehurve. Nëse i pandehuri ka ndikuar në zgjatjen e procedurës gjyqësore, duke mos qenë i pranishëm, nuk mund të konstatohet shkelje”, tha ai.

Megjithatë, Alija dhe Avokati i Popullit Qelaj, në intervista të veçanta, vunë në dukje se shumica e rigjykimeve në Kroaci i gjetën të pandehurit të pafajshëm, shpesh për shkak të shkeljeve procedurale të gjetura në gjykimet në mungesë.

Kosova jo vetëm që nuk mund të gjejë shumë të dyshuar në raste krimesh lufte, sepse ata nuk janë më në vend, por përballet me pengesa të mëdha për ekstradimin e tyre nga Serbia, ku shpesh zhvillohen procedura paralele.

Por Qelaj në përgjithësi është optimist. “Besoj se gjykimet e zhvilluara në mungesë kur Kosova është anëtare e mekanizmave ndërkombëtarë dhe sovraniteti i saj nuk do të kontestohet, mund të kenë një efekt të veçantë sepse çdo shtet duhet të zbatojë urdhrat për ekstradimin e qytetarëve në vendin që ka lëshuar urdhër arrestin”, përfundoi ai.