Pesë kamionë ushtarakë i shtohen Ushtrisë së Kosovës, donacion nga Gjermania - FOTO

Pesë kamionë ushtarakë i janë shtuar Ushtrisë së Kosovës, si donacion nga Gjermania.

Përmes një ceremonie në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, u bë pranim-dorëzimi i pesë kamionëve ushtarakë në vlerë prej 2.7 milionë euro.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci tha se donacioni do të ndikojë në rritje të kapaciteteve të FSK-së.

“Është kënaqësi të pranoj këtë donacion kamion ushtarak me vlerë 2.7 milionë euro që do ndikojë në rritje të kapaciteteve tona. Këto donacione janë në vazhdën e donacioneve që pranuam vitin e kaluar. Mbështjetja e FSK-së është një nga fushat që Gjermania kontribuon për mbrojtjen e vendit tonë. Ky bashkëpunim do vazhdojë edhe më tutje me qëllim të kontribimit të paqes e sigurisë në vend” – tha ai.

Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha kamionët do të shërbejnë për logjistikën në regjimentet e FSK-së.

“Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme, sidomos në fushën e mbrojtjes. Jam shumë i kënaqur të jem këtu për dhurim të këtyre kamionëve ushtarakë. Ky projekt ka nisur në nëntor 2022. Qëllimi është të mbështesim logjistikën e regjimenteve. Tani keni 15 kamionë të këtij tipi”- tha ambasadori.

Ambasadori më pas dhuroi çelësat për secilin kamion.