Një i vdekur e disa të lënduar pasi që aeroplani i "Singapore Airlines" u përball me turbulenca të forta

Një 73-vjeçar ka vdekur dhe disa persona të tjerë janë lënduar pasi që një aeroplan u përball me turbulenca të forta gjatë një fluturimi nga Londra në Singapor, sot më 21.05.2024, raporton BBC.

Autoritetet në Bangkok të Tajlandës, ku aeroplani u detyrua të aterrojë, thonë se gjasat janë që viktima ka pësuar sulm në zemër.

Në aeroplan gjendeshin 211 pasagjerë dhe 18 anëtarë të ekuipazhit, tha “Singapore Airlines” në një deklaratë, duke shtuar se fluturimi nga Londra në Singapor hasi në “turbulenca ekstreme të papritura”.

Kompania ajrore i ka shprehur ngushëllime familjes së personit të vdekur.

73-vjeçari britanik po udhëtonte me gruan e tij, e cila është shtruar në spital bashkë me 29 persona të tjerë, 7 prej të cilëve kanë lëndime kritike.

Njëri prej pasagjerëve e ka quajtur këtë si “ditën më të keqe të jetës së tij”.

Përderisa një tjetër ka rrëfyer se kushdo që nuk kishte të vendosur rripin e sigurisë janë përplasur për tavanin e aeroplanit.

Fotografitë brenda aeroplanit tregojnë dëmet e shkaktuara ku shihen maskat e oksigjenit të varura, ndërsa monitorët dhe pjesët e brendshme të aaeroplanit duket se janë grisur.