Gjykata e Pejës dënon me burg dhe gjobë 3 të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Gjykata e Pejës ka shpallur fajtorë të pandehurit L.M., A.G. dhe N.G., të cilët akuzoheshin për veprën penale – keqpërdorimi i detyrës zyrtare.

Të akuzuarit L.M. Gjykata i shqiptoi dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej pesë vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit si dhe dënim me gjobë prej 4,500 euro.

Në dënimin me burg Gjykata tha se i llogaritet koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Të akuzuarit A.G. Gjykata i shqiptoi dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej katër vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit si dhe dënim unik me gjobë në shumën 3,000 euro.

Sipas Gjykatës, në dënimin me burg i llogaritet koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Të akuzuarit N.G. Gjykata i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit si dhe me gjobë në shumën prej 2,500 euro.

Te akuzuarit L.M. dhe A.G. akuzoheshin për shfrytëzim të detyrës zyrtare dhe tejkalim të kompetencave.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Pejës, të pandehurit janë dënuar pasi që akuzoheshin se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në shumën që tejkalon 5.000.00 euro për personin tjetër dhe atë për subjektin ekonomik “G.-K.” Sh.P.K. me investitor B. dhe F.M, në atë mënyrë që të akuzuarit, fillimisht investitorit ia lëshojnë lejen ndërtimore të datës 04.10.2019 në një objekt në ndërtim e sipër, me ç’ rast lejohet ndërtimi i objektit afarist-banesor.

Ndërsa i akuzuari N.G. akuzohet se në cilësi të inspektorit të ndërtimit pranë Drejtorisë së Inspektoratit, Komuna K. me mosveprim dhe në kundërshtim me përshkrimin e detyrave të punës nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të zbatuar inspektimin sipas autorizimeve dhe obligimeve të tij ligjore dhe mundëson kështu ndërtimin e objektit afarist-banesor në kundërshtimin me kushtet ndërtimore.