Kurti: Arratisja e Enver Sekiraqës është dështim i sistemit gjyqësor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me arratisjen e të akuzuarit për shtytje në vrasje të policit Triumf Riza më 2007, Enver Sekiraqa, i cili që nga 17.05.2024 vazhdon të mbetet i paarritshëm për Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë.
Kurti ka deklaruar se arratisja e Enver Sekiraqës “është dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia.”
“Të gjithë ata që e kanë njohur Triumfin [Riza] e përshkruajnë njëzëri si profesionist të pa shoq, i shkathët në detyrë e shumë njerëzor me qytetarët. Triumfin e kam takuar edhe unë dhe kam po këtë përshtypje. Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia. Edhe më e rëndë bëhet situata kur këso rastesh nuk bëjnë më përjashtim, nuk ngjajnë më si rastësi”- ka deklaruar Kurti.
Kryeministri thotë se qeveria që ai drejton angazhohet për të përfshirë të gjithë qytetarët nga të gjitha komunitetet pa dallim në jetën institucionale, zhvillimin ekonomik, drejtësinë sociale të republikës sonë.
“Qeveria e Kosovës angazhohet për çdo ditë për të përfshirë të gjithë qytetarët nga të gjitha komunitetet pa dallim në jetën institucionale, zhvillimin ekonomik, drejtësinë sociale të republikës sonë. Vendosja e rendit dhe ligjit është kusht i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi. Këtë nuk e bëjmë kundër askujt të posaçëm, këtë e bëjmë gjithnjë për të gjithë”- është shprehur ai.
“Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit janë dhe duhet të jenë qëllim dhe përkushtim i shtetit, me gjyqësorin e mirë që drejtësinë dhe ligjin i bënë sinonime në përshtypjen e qytetarëve dhe të shoqësirë mbarë”- shtoi Kurti.
Kreu i ekzekutivit theksoi se vrasësit e policëve në liri janë “kulmi i padrejtësi”, teksa shtoi se reforma në drejtësi tashmë është urgjencë kombëtare, shtetërore e institucionale.
“Vrasësit e policëve në liri janë kulmi i padrejtësisë, reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë tash është urgjencë, urgjencë institucionale, shtetërore e kombëtare”- përfundoi ai.
I akuzuari për shtytje në vrasje të policit Triumf Riza më 2007, Enver Sekiraqa, që nga 17.05.2024 vazhdon të mbetet i paarritshëm për Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë, ndonëse ndaj tij tashmë ekziston një vendim që të kthehet në paraburgim.
Pas vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit, Sekiraqa do të duhej që të ishte në paraburgim nga masa paraprake që ishte në liri që nga data 03.05.2024, kur ishte shpallur aktgjykimi ndaj tij dhe i ishte zëvendësuar masa nga arresti shtëpiak, por që ende nuk dihet vendndodhja e tij.
Policia e Kosovës më 20.05.2024 ka konfirmuar për KALLXO.com, se Sekiraqën e kanë kërkuar në shtëpinë e tij tri ditë radhazi, më 17,18 dhe 19.05.2024, por nuk është hasur aty. Organet e rendit thonë se po punojnë për ta lokalizuar atë.
Më 03.05.2024, Enver Sekiraqa është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata e Prishtinës për shtytjen në vrasje të policit Triumf Riza në vitin 2007.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda i kryesuar nga Agim Kuçi dhe me anëtarët Ngadhnjim Arrni e Medije Bytyqi.
Kjo përbën herën e tretë që Sekiraqa dënohet për shtytjen e vrasjes së Rizës 17 vite më parë. Për herë të parë në vitin 2016, Sekiraqa ishte dënuar me 37 vite burgim kurse në vitin 2019 me 30 vite burgim.
Në shpallejn e aktgjykimit më datë 03.05.2024 Sekiraqa nuk ishte prezent në gjykatore.
Sekiraqa tash e katër ditë i paarritshëm – Detaje si erdhi deri tek vendimi për kthim në paraburgim