Raketat "Javelin". Foto: Lockheed Martin

Cilat janë karakteristikat e raketave “Javelin” që Kosova synon t'i blejë nga SHBA?

Kosova ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara t’i shesë raketave kundërtank “Javelin”. E SHBA, sipas ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, e ka pranuar një kërkesë të tillë.

Siç raportojnë mediat serbe, ambasadori Hill, gjatë një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka treguar se kërkesa e Kosovës do t’i dërgohet Kongresit amerikan, i cili fillon procedurën zyrtare.

Por, cilat janë karakteristikat e raketave “Javelin”?

Këto raketa u prodhuan dhe zhvilluan për ushtrinë amerikane dhe trupat detare të saj.

Ky mjet luftarak doli shumë efikas në luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.

Këto armë janë të prodhuara nga dy kompanitë, Lockheed Martin dhe Raytheon Technologies.

Sipas të dhënave që janë të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë Lockheed Martin, “Javelin” është një sistem armësh precize kundërtank, të lëvizshme dhe të vendosur në platformë.

Pra, raketa në fjalë mund të përdoret edhe nga një ushtar i vetëm duke e mbajtur atë mbi supe për të qëlluar nga lart apo drejtpërdrejt objektivin, por edhe mund të vendoset mbi automjetet ushtarake.

Një raketë e tillë vlerësohet se mposht të gjitha forcat e blinduara të njohura dhe të projektuara, si dhe objektiva të buta dhe të parregullta.

“Javelin”, sipas kompanisë, përdor teknologjinë “fire-and-forget” duke drejtuar veten drejt objektivit pa komanda të jashtme ose përcaktimin e objektivit.

Kompanitë që prodhojnë këtë lloj arme thonë se një aftësi e tillë siguron mbijetesë superiore për operatorët, pra ushtarët që përdorin armë të tillë, të cilët pas gjuajtjes që mund të zhvendosen menjëherë në vende të sigurta, e nuk mbesin të ekspozuar.

Ky veprim vlerësohet se i mundëson operatorit të angazhojë menjëherë objektiva shtesë. Kjo teknologji gjithashtu mundëson lehtësinë e përdorimit dhe trajnimit.

Të dhënat e kompanive prodhuese tregojnë se edhe pas mbi 20 vitesh performancë, “Javelin” është në shërbim të ushtrisë amerikane dhe 19 vendeve të tjera aleate.

Po ashtu tregohet se janë të prodhuara më shumë se 45 mijë raketa të tilla, e se sistemi “Javelin” parashikohet të jetë në inventarin operacional të ushtrisë amerikane deri në vitin 2050.

Në gusht të vitit të kaluar, kompanitë prodhuese në një njoftim publik kishin treguar se gjatë 2022-ës popullariteti i sistemit të armëve “Javelin” është rritur.

Kompanitë kishin thënë se janë duke punuar për gati dyfishimin e prodhimit.

Në njoftim ishte thënë se kompanitë prodhojnë 2,100 “Javelin” në vit, e prodhimi pritet të rritet në 3,960 në vit deri në vitin 2026.

 

Raketat “Javelin”. Foto: Lockheed Martin
Foto: Lockheed Martin