Pamje nga ekspozita ‘Capturing Diversity’. Foto: KALLXO.com.

Ekspozita ‘Capturing Diversity’, diverisiteti kulturor në Kosovë përmes fotografive

Organizuar nga Qendra për Veprime Afirmative Sociale (CASA) është hapur të hënën, më 20.05.2024 në Qendrën Barabar në Hotel “Grand” në Prishtinë ekspozita fotografike “Capturing Diversity”.

Në këtë ekspozitë janë prezantuar fotografi të diversitetit dhe nga trashëgimia multikulturore e disa prej qyteteve të Kosovës.

Fotografitë e prezantuara në këtë ekspozitë janë realizuar nga 20 fotografë të etnive të ndryshme në Kosovës, gjatë një ekspedite artistike në mars dhe prill të këtij viti, në Janjevë, Prizren, Mitrovicë, Gorë e Prevallë.

Jelena Cvetanoviq nga CASA tha në hapje të ekspozitës “Capturing Diversity” se ky projekti i Qendrës Barabar paraqet një kontribut unik në përpjekjet e ndërtimit të besimit dhe pajtimit në Kosovë.

Sipas saj, koncepti i ekspozitës qëndron në një partneritet të mirëfilltë të dy organizatave të shoqërisë civile, Qendra për Veprime Afirmative Sociale (CASA) nga Mitrovica e Veriut dhe INTEGRA nga Prishtina.

“Ekspozita para jush e quajtur ‘Capturing Diversity’ përfaqëson rezultatin përfundimtar të atij udhëtimi. Me këtë rast, pjesëmarrësit demonstruan solidaritet dhe unitet të hollë duke eksploruar kulturën dhe traditat e pasura të këtij rajoni”- tha ajo.

Ndërsa, Visar Krusha tha se gjatë muajit prill, OJQ “CASA” mblodhi mbi 20 fotografë të rinj të motivuar të cilët u përpoqën të dokumentonin diversitetin e komuniteteve të Kosovës ndërsa udhëtonin nga Mitrovica në Prishtinë, Janjevë, Prizren dhe Prevallë.

“Në parimin e Qendrës Barabar kjo punëtori mblodhi këtë grup të larmishëm të rinjsh në mënyrë që ata të komunikojnë dhe të punojnë së bashku për interesin e tyre të përbashkët, në rast fotografinë dhe jetën e tyre në Kosovë. Dhe gjatë rrugës ata u njohën më mirë. Për disa prej tyre ishte hera e parë që punonin me një person nga komunitete të ndryshme, por kjo nuk ishte aspak pengesë”- tha Krusha.

Sipas tij, fotografitë e ekspozuara dëshmojnë më së miri punën e bërë nga ekipi gjatë punëtorisë për realizmin e projektit “Capturing Diversity”.

Gjatë ekspozitës u shfaq edhe filmi i shkurtër dokumentar “Behind the Lenses: Karavan Artistik” nga Milan Dobriq.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur në Qendrën Barabar deri më 22.05.2024.

Pamje nga ekspozita ‘Capturing Diversity’. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita ‘Capturing Diversity’. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita ‘Capturing Diversity’. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita ‘Capturing Diversity’. Foto: KALLXO.com.