Ministri Maqedonci konfirmon se Kosova ka bërë kërkesë për të blerë raketa kundërtank “Javelin”

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se Kosova i ka nisur kërkesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të blerë sistemin raketor kundërtank “Javelin”.

Ai në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se Ministria e Mbrojtjes e mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e territorit.

“Për sistemin ‘Javelin’ është dërguar kërkesa dhe e njëjta është pranuar nga SHBA” – tha Maqedonci.

Ministri tha se kjo po bëhet në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët strategjikë, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Qeveria e Republikës se Kosovës me ShBA-të ka program bashkëpunimi për blerje ushtarake direkte, përmes programit FMS (Foreign Military Sales)” – tha ministri.

Maqedonci tha se në kuadër të këtij programi parashihen blerjet e pajisjeve ushtarake, duke përfshirë sistemin raketor antitank “Javelin”, por edhe sisteme të tjera të armatimit.

Tutje ministri shtoi se tashmë është bërë e ditur që kërkesa do të procedohet nga Departamenti i Shtetit për aprovim përfundimtar në Kongresin amerikan.