Sveçla: Arsenali i armatimit u gjet bazuar në informatat e qytetarëve dhe të AKI-së

Policia e Kosovës ka sekuestruar një arsenal të madh armatimi sot, më 14.05.2024, afër Zveçanit.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë detaje rreth arsenalit të sekuestruar sot.

“1,588 municione ose fishekë, 10 armë të gjata, 62 copë ‘shok-bomba’, 1.5 kilogram eksploziv plastik, një palë dylbi, katër radio-lidhje, 1 shurdhues, 33 karikatorë të mbushur, 8 karikatorë të zbrazët, 7 maska, 1 anti-plumb, 2 pllaka anti-plumbash, një uniformë e ushtrisë serbe, dhjetë uniforma të Policisë së Kosovës si pjesë e uniformës, pajisje për dron dhe pajisje rezervë për armë…” – tha drejtori Hoxha në një konferencë të jashtëzakonshme për media, të mbajtur në Drejtorinë rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës.

Operacioni i bastisjes pas të cilit u gjet ky arsenal, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bazua në informatat e ofruara nga qytetarët dhe Agjencia Kosovare të Inteligjencës (AKI).

“Para disa orësh, bazuar në informatat e qytetarëve dhe AKI-së dhe pas një pune të jashtëzakonshme hetimore të Policisë, pas bastisjes së lokacionit të dyshuar është gjetur armatim i shumtë në numër, i llojeve të ndryshme, me të cilat grupet terroriste kanë planifikuar sulme ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, pikë së pari ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, por pa kursyer edhe të tjerët” – ka thënë Sveçla.

Sipas ministrit, ky arsenal i armëve është mbetje e armatimit të grupeve terroriste të udhëhequra nga Millan Radoiçiq e të financuara, të dirixhuara e të mbështetura nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se lidhur me këtë arsenal të gjetur është duke u intervistuar një ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës.

“Aktualisht në Drejtorinë e Policisë në Veri është duke u intervistuar një person i dyshimtë lidhur me mundësinë e lidhjes së tij direkt të tij me këtë armatim, me disa prej këtyre armatimeve, sepse janë gjetur në afërsi të shtëpisë pronar i të cilës është ai. I njëjti ka qenë zyrtar i Policisë së Kosovës dhe Policia së bashku me Inspektoratin Policor është duke e bërë intervistimin” – theksoi drejtori Gazmend Hoxha.