"Javelin: Foto: Ejup Maqedonci / facebook

Ministri Maqedonci për "Javelin"-ët: Ka përfunduar faza 30-ditore, Kosova mund t’i vazhdojë procedurat e blerjes

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka treguar se ka përfunduar periudha tridhjetëditore e njoftimit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemit anti-tank “Javelin”.

Sipas Maqedoncit, tashmë mund të vazhdohet me hapat e tjerë.

“I gëzohemi lajmit që sot ka përfunduar periudha tridhjetë ditore e njoftimit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth kërkesës tonë për blerjen e sistemit anti-tank Javeline, rrjedhimisht mund të vazhdojmë hapat tjerë”- ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Maqedonci thotë se proceduralisht janë në pritje të ofertës së SHBA-së që më pas, bazuar në planin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës të realizojnë blerjen.

“Proceduralisht jemi ne pritje të ofertës nga ana e ShBA-së, që pastaj bazuar në të dhe planin e zhvillimit të FSK-së të realizojmë blerjen. Javeline, sistem me të cilin do të pajiset FSK tashmë fakt i kryer”- thekson ministri.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte konfirmuar më 11.1.2024 se Kosova i ka nisur kërkesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të blerë sistemin raketor kundërtank “Javelin”.

Ai në një përgjigje për KALLXO.com kishte thënë se Ministria e Mbrojtjes e mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e territorit.

“Për sistemin ‘Javelin’ është dërguar kërkesa dhe e njëjta është pranuar nga SHBA” – tha Maqedonci.

Raketat “Javelin” u prodhuan dhe zhvilluan për ushtrinë amerikane dhe trupat detare të saj. Ky mjet luftarak doli shumë efikas në luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.

Këto armë janë të prodhuara nga dy kompanitë, Lockheed Martin dhe Raytheon Technologies.

Sipas të dhënave që janë të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë Lockheed Martin, “Javelin” është një sistem armësh precize kundërtank, të lëvizshme dhe të vendosur në platformë.

Pra, raketa në fjalë mund të përdoret edhe nga një ushtar i vetëm duke e mbajtur atë mbi supe për të qëlluar nga lart apo drejtpërdrejt objektivin, por edhe mund të vendoset mbi automjetet ushtarake.

Një raketë e tillë vlerësohet se mposht të gjitha forcat e blinduara të njohura dhe të projektuara, si dhe objektiva të buta dhe të parregullta.

Cilat janë karakteristikat e raketave “Javelin” që Kosova synon t’i blejë nga SHBA?

www.kallxo.com