Nënshkruajnë peticionin, qytetarët në dy komunat në veri nuk flasin për procesin dhe zgjedhjet e reja

3 mijë e 640 nënshkrime duhet që të evidentohen në peticion për të nisur procesi i shkarkimit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. 

Për dallim nga Mitrovica e Veriut, në Leposaviq duhet të mblidhen 2 mijë e 691 nënshkrime për të filluar procesi për shkarkimin e kryetarit Lulzim Hetemi. 

Këto shifra përbëjnë 20-përqindëshin e votuesve të këtyra komunave, i paraparë në udhëzimin administrativ të miratuar vitin e kaluar nga Ministria e Pushtetit Lokal, në mënyrë që të plotësohen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme në dy komunat në veri të vendit. 

Sot në mëngjes dhjetëra qytetarë ishin mbledhur te stacioni i autobusëve në Mitrovicën e Veriut për të vazhduar më pas në mënyrë të organizuar drejt sallës sportive që ishte vetëm pak metra larg për të nënshkruar peticionin nga i cili më pas do të nisë procesi për shkarkimin e kryetarit aktual Erden Atiq.

Gjatë ditës së sotme nënshkrime në peticion u mblodhën vetëm në dy komuna, atë të Mitrovicës së Veriut dhe të Leposaviqit, ndërsa në dy komunat e tjera, Zveçan e Zubin Potok, procedurat ende nuk kanë filluar pasi pati vonesa. 

KALLXO.com ka qëndruar në dy komunat ku nisi nënshkrimi i peticionit nga qytetarët. 

Në Mitrovicë të Veriut para orës 9:00 të mëngjesit u panë dhjetëra qytetarë, të cilëve u prinin krerë e ish-krerë të Listës Serbe. 

Në rendin e parë u panë ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, Igor Simiq, ish- kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq. Pasi u mblodhën ata që ishin ftuar, qytetarët u nisën rreth orës 9:10 të gjithë së bashku drejt sallës së sporteve për t’u nënshkruar. 

Kjo hapësirë është dhënë për shfrytëzim nga vetë Komuna e Mitrovicës së Veriut. 

Brenda hapësirave të sallës sportive të gjithë qytetarët nënshkruheshin me dokumente identifikuese të Republikës së Kosovës, ndërsa edhe peticioni ishte me logo të Kosovës.

Ata që tentuan të nënshkruanin me dokumente të Serbisë nuk lejoheshin të vazhdonin procesin pa mjet identifikues tjetër. 

Ekipi i KALLXO.com tentoi të marrë qëndrime nga ata që nënshkruheshin por ata nuk dëshironin të komentonin këtë proces. 

As ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq nuk pranoi të flasë nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

 

“Nuk do të doja të flisja, kemi ardhur për peticion, faleminderit”- ishte i shkurtë Radojeviq për ekipin e KALLXO.com. 

E Goran Rakiq, i cili para ngjarjes në Banjskë të Zveçanit mbante postin e të parit të Listës Serbe, nuk tha shumë për këtë peticion dhe pritjet e tij për vazhdimin e procesit. 

“Interesimin a po e shihni, qytetarët e kanë organizuar dhe ne presim që peticioni të dalë i suksesshëm”- tha Rakiq për KALLXO.com. 

Pas Mitrovicës së veriut, ekipi i KALLXO.com udhëtoi drejtë Leposaviqit. Atje komuna nuk u kishte dhënë leje që nënshkrimi i peticionit të bëhej në sallë sportive por që u kishte lejuar grupit iniciator të vendosnin një tende përballë komunës. 

Veselin Radoviq, nga grupi iniciator tha për KALLXO.com se ka pasur nënshkrime të peticionit nga dhjetëra qytetarë ndërsa presin sukses nga kjo iniciativë. 

“Jemi të kënaqur duke marrë parasysh numrin e votuesve, kështu do të vazhdoj dhe besoj se peticioni do të ketë sukses. Sipas numërimit tim personal gjatë ditës mendoj se kanë dalë mjaftueshëm dhe presim ende. Pritshmëria ime është me pas sukses prandaj edhe jemi këtu”- tha ai. 

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi në një intervistë për KALLXO.com tha se ishte vetë qeveria që i lejoi këtë mundësi qytetarëve në veri të vendit për shkarkimin e kryetarëve aktual. 

Ai thotë se ka përfunduar misionin e tij, që është shtrirja e sovranitetit në komunat në veri të vendit. 

Tutje ai deri sa flet për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e tij, thotë se nuk do të kandidoj në zgjedhjet e ardhshme. 

Si nisi procesi për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave në veri?

Për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës në fund të majit, serbët lokalë organizuan protesta në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Qytetarët në këtë zonë – të banuar me shumicë serbe edhe sot herë pas here vazhdojnë që të  kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur në prill. Këto votime ishin bojkotuar nga popullata serbe në zgjedhjet që u mbajtën në prill të vitit të kaluar. 

Për të shtensionuar situatën në veri pas protestave të dhunshme që u regjistruan nga maji i vitit të kaluar,  në Minsitrinë e Administrimit dhe Pushtetit lokal nisi puna për të hartuar një udhëzim për të mundësuar që përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 përqind e qytetarëve të niste edhe procesi për shkarkimin e kryetarëve aktual të komunave. 

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje, në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse, si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

Më 5 shtator të vitit 2023, Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Berisha kishte konfirmuar se kishin përfunduar edhe hartimin e udhëzimit Administrativ për iniciativën qytetare për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. 

“Udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale”- thuhet në njoftimin e ministrit të 5 shtatorit. 

Ai kishte njoftuar se pjesë e diskutimeve, punës dhe konsultimeve profesionale e edhe e grupit punues kanë qenë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.

“Ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejtë të garantuar nga ligji për vetëqeverisje lokale. E drejtë kjo që siguron ushtrimin e vullnetit qytetar në raport me Kryetarin e Komunës, të cilin e zgjedhin drejtpërdrejtë vetë qytetarët”- thuhet tutje në të njëjtin njoftim. 

Nga të dhënat e Komisonit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar,  në Leposaviq ishin 13.318 qytetarë me të drejtë vote, në Zubin Potok 6.661, në Zveçan 6.998 ndërkaq në listën përfundimtare të votuesve në Mitrovicë të Veriut ishin 18.118.

Në tetor të vitit të kaluar, Aleksandar Vuqiq u kishte bërë thirrje përfaqësuesve në veri të vendit që të inicojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.

Sipas udhëzimit administrativ kërkesa për largimin e kryetarit të një komune duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në të. Për të larguar kryetarin përmes peticionit duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote, ndërkaq në rast të dështimit, nuk mund të organizohet një peticion tjetër përpara se të kenë kaluar 12 muaj.