Fundi marsit, ‘shpresë’ për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë?

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar dialog politik për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Që nga atëherë Kosova kërkon njohje të ndërsjellë, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

Të hënën e 26 shkurtit 2023, në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takim i cili rezultoi pa ndonjë marrëveshje.

Për këtë takim është diskutuar në emisionin #KallxoPernime.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës Emilija Rexhepi ka thënë se ajo ka pritur që sot të nënshkruhet marrëveshja nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Sipas saj, të gjitha pikat kanë qenë të pranueshme.

“Ajo çka është e rëndësishme është që Serbia nuk do të mund ta stagnojë Kosovën. Ne jemi të hapur për normalizim të marrëdhënieve me shtetin fqinj”- ka thënë Rexhepi në emisionin #KallxoPernime.

Rexhepi ka shtuar se e ka parë planin e BE-së, i njohur si plani ‘Franko-Gjerman’, ende pa u bërë publik.

Ndërsa ministri për Kthim dhe Komunitete i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se nuk e ka parë këtë plan, pavarësisht që e ka kërkuar në shumë adresa.

“Planin nuk e kam parë, nuk e kam pranuar, e kam kërkuar në shumë adresa në shumë destinacione, por nuk e kam pranuar. Shumë herë është cekur që plani nuk do të publikohet sepse ka qenë shumë konfidencial përderisa edhe kryeministri Kurti e ka respektuar këtë”- tha Rashiq në emisionin #KallxoPernime.

Pika më kontraverse e këtij plani është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rexhepi ka thënë se i tërë publiku e ka mitizuar këtë çështje.

“Asnjë Qeveri nuk e ka pranuar këtë, ne e kemi trashëguar këtë problem, jemi duke provuar t’i integrojmë serbët dhe të mos formojmë një republikë serbe brenda Kosovës. Një gjë e tillë edhe sot e stagnon Bosnjën dhe Hercegovinën. Kemi qëndrim të fuqishëm lidhur me korrigjimin e disa pikave të cilat kanë kompetenca të mëdha në qeverisje. Në një farë mënyre kjo marrëveshje është lidhur vetëm për një pikë dhe sikur flitet vetëm për këtë pikë”- ka thënë Rexhepi.

Të hënën në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiq nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti tha se ishte i gatshëm ta nënshkruaj planin ‘Franko-Gjerman’, i njohur si plani i Bashkimit Evropian.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha që sot nuk pati marrëveshje për shkak që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk pranoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera. Borrell në anën tjetër përmendi fundin e marsit si një kohë kur mund të finalizohet plotësisht puna.

 

Kurti: Pala serbe nuk ishte e gatshme ta nënshkruajë planin franko-gjerman, unë po

Krahasimi i LDK-së mes negociatave që janë zhvilluar në Vjenë dhe këto tash

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në emisionin #KallxoPernime, ka thënë se këto negociata janë tjetër dimension.

Haziri shton se tash po flasim për normalizim raportesh mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa në Vjenë është diskutuar mbi statusin politik të vendit.

“Serbia ka pasur një rol krejt tjetër atëherë, de-fakto ne kemi negociu me Grupin e Kontaktit për shumicën e çështjeve. Serbia e ka pasur qëndrimin e vet, platformën e vet por negociatat kanë shkuar në drejtim të këtij grupi. Ndërmjetësi ndërkombëtar, Ahtisari e ka pasur më shumë rolin e dëgjuesit dhe i ka përmbledh në fund të gjitha ato negociata. Tani është një diplomaci aktive. Por asgjë nuk ka ndodh pos asaj që ne si LDK e kemi paralajmëruar”- ka thënë Haziri.

Haziri, ka thënë se kryeministri i Kosovës , Albin Kurti e ka pranuar formimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

Në emisionin #KallxoPernime, Haziri ka thënë se aneks-dokumenti për ‘Planin Franko-Gjerman’ nuk e përmend Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“Tani është një problem tjetër, aty nuk përmendet askund Gjykata Kushtetuese e Kosovës, përmendet Asociacioni, përmendet koha, përmendet këshilli, përbërja e këshillit, por nuk përmendet dërgimi në Gjykatë Kushtetuese”- tha ai.

Ai ka thënë se takimi i paralajmëruar më 18 mars do t’i sqarojë më mirë gjërat në dialog.

“18 marsi do të jetë dita kur do të shihen qartë në këtë pjesë. Sa i përket dokumentit bazë, natyrisht që është pranu edhe Asociacioni sepse është pjesë e platformës, dokumentit bazë evropian”- tha Haziri.

Haziri tha që shqetësuese është që plani i BE-së është i përkohshëm.

“Shqetësimi kryesor është që marrëveshja është e përkohshme, si e përkohshme lidhet me agjendën evropiane. Serbia ka arritur suksesshëm me evitu pranimin e pavarësisë së Kosovës. Sonte mund të themi që kryeministri ka evoluar, ai e ka pranuar një dokument në të cilin Asociacioni është i përfshirë dhe ka marrë zotime që me e çu përpara këtë”- shtoi ai.

Dhjetë vjet më parë, në prill të vitit 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje, e cila s’u zbatua asnjëherë.

Ujdia për Asociacionin parashihte t’i përfshinte dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Ranillug dhe Partesh.

Synimi ishte integrimi i serbëve lokal në tërë territorin e vendit.

Fillimisht, Gjykata Kushtetuese kishte pezulluar Marrëveshjen për Asociacionin më 10 nëntor të vitit 2015.

Ndërsa, më 23 dhjetor të po të njëjtit vit, Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se parimet e Asociacionit “nuk janë tërësisht” në përputhshmëri me aktin më të lartë juridik të vendit.

Që nga ajo kohë, Asociacioni ishte shpesh temë e diskutimeve në skenën politike në Kosovë e Serbi, por marrëveshja për të nuk u zbatua asnjëherë.

Çka përmban ‘Plani Franko-Gjerman’?

Ndërsa Bashkimi Evropian ka publikuar planin e njohur si ‘Plani Franko-Gjerman’ për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky plan përmban gjithsej 11 nene, si dhe një deklaratë në fillim të tij.

“Palët kontraktuese, të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes, të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës, të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen”.

Neni 1- Palët do të zhvillojnë reciprokisht marrëdhënie normale, të mira fqinjësore mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Neni 2- Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e njeriut, të drejtat dhe mosdiskriminimi.

Neni 3- Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4 – Palët rrjedhin nga supozimi se asnjëra nga këto dyja palë nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5 – Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6 – Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre. Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhjes, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe të tjera të ngjashme. Fusha nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike. Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7 – Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8 – Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selinë e qeverisë përkatëse. Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9 – Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10 – Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11 – Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të bashkëngjitur në këtë Marrëveshje.

Ky plan, i njohur si ‘Plani Franko-Gjerman’ është propozuar vitin e kaluar nga BE-ja e i përkrahur nga SHBA-ja, që në atë kohë nuk kishte shumë hollësi.

“Kjo është një nismë e Bashkimit Evropian. Ne e mbështesim atë. Sa i përket detajeve, dua të them se ato po diskutohen brenda kontekstit të dialogut të BE-së, të cilin ndonëse e mbështesim, ne nuk jemi palë në të. Unë besoj që shumë shpejt pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dy qeveritë, ne do të fillojmë të angazhojmë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit”, kishte thënë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

 

Escobar: Detajet e planit franko-gjerman pritet të bëhen publike shpejt

“’Plani Franko-Gjerman’, asgjë e re”

Për këtë plan, Aleksandar Jabllanoviq, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës, ka thënë se nuk ka dëgjuar asgjë të re, duke shtuar se ka lexuar një tekst të ngjashëm para disa ditësh.

“Ky propozim i ri që quhet propozim ‘Franko-Gjerman’, është dëshmi e plotë se BE-ja nuk ka arritur të siguroj në masë të plotë zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit. Kush është fajtor për këtë? – Kjo është çështje tjetër, por është fakt që pas 9 vitesh diskutime intensive nuk kemi arritur tek synimi i dëshiruar, që është normalizimi i marrëdhënieve mes të dyja vendeve”- ka thënë Jabllanoviq.

Ai ka shtuar se me këtë plan BE-ja ndoshta e ka humbur durimin e qytetarëve të Kosovës andaj kjo po duket si ofertë e fundit nga ta për t`u arritur kompromisi.

Megjithatë në emisionin #KallxoPernime, politikani serb deklaroi se akoma jemi larg një marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. “Kam dyshime të mëdha rreth kësaj”.

“Është bërë një famë e madhe thua se kjo pika e Asociacionit ose do të sjellë një normalizim të plotë ose një konflikt, kjo që lexuat dëshmon se BE ka humbur durimin për neve këtu në Kosovë, dhe kjo është ndoshta si një ofertë e fundit të arrihet një kompromis” – tha ai.

Më herët, Jabllanoviq e kishte quajtur projekt të vjetruar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në emisionin #KallxoPernime, kohë më parë Jabllanoviq kishte theksuar se duan një institucion, i cili mund edhe të quhet Asociacion i komunave serbe, siç janë marrë vesh Beogradi e Prishtina, përmes të cilit, të drejtat e tyre që i kanë të garantuara me Kushtetutë dhe ligje të Kosovës t’i shfrytëzojnë pa pengesë dhe pa kufizim.

“Projekt i para 10 viteve. Nuk është njëjtë të formosh Asociacion tash si të formosh Asociacion para 10 vitesh. Asociacioni i komunave serbe duhet t’u ofrojë serbëve një stabilitet. Një paqe më afatgjate. Një Republika Srpska e re, serbëve nuk do t’ju ofrojë paqe. Do të ndodhemi në një situatë ku do të kemi disa të drejta por do të jemi vazhdimisht në njëfarë konflikti me shqiptarët, të cilët janë shumicë. Kjo nuk është në interes të serbëve”- ka thënë Jabllanoviq.

 

Jabllanoviq me qëndrim ndryshe për Asociacionin, e quan projekt të vjetruar

Sllagjana Pantoviq, politikane e pavarur nga Zveçani, ka thënë se edhe ashtu nuk ka pritur të bëjnë diçka nga ana e serbëve përderisa ka shtuar që dyshime nuk ka pasur tek kryeministri kosovar.

“Vuçiqi nuk ka zgjidhje tjetër pos të bëjë atë çfarë i thonë, për dallim nga Kurti”- ka thënë Pantoviq.

Pse nuk e nënshkroi Serbia marrëveshjen?

Sipas nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, arsyeja pse nuk e nënshkroi marrëveshjen Serbia qëndron pikërisht tek aneks-dokumenti.

Sipas Hazirit dokumenti me 11 pika i ‘Planit Franko-Gjerman’ e ka edhe një aneks-dokument, por që sipas tij nuk është publikuar pasi që palët nuk kanë arritur një marrëveshje.

“Ky dokument e ka një ambiguitet konstruktiv që e quajnë evropianët. Parimi i këtyre negociatave nuk ka qenë ambiguitet konstruktiv, ka qenë, asnjë marrëveshje nuk vlen nëse nuk ka marrëveshje ligjërisht të obligueshme, janë ndërruar edhe negociatat. Në këtë aneks janë statusi i Kosovës dhe Asociacioni, në këto negociata do të hapet edhe çështja e kishës Ortodokse ajo e të zhvendosurve”- ka thënë Haziri.

Sipas Hazirit kjo është bërë për shkak se nuk është respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për sa i përket çështjes së pronës së Kishës.

Në emisionin #KallxoPernime ku u diskutua rreth marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë si dhe negociatat, Aleksandar Jabllanoviq, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës e quajti Vuçiqin ‘qyqar’.

“Në Bruksel Vuçiqi u tregua një qyqar, i cili nuk pati guxim që të thotë se e refuzojmë marrëveshjen, por do të shohim, do të diskutojmë, do t`ia bëjmë kështu, do t’ia bëjmë ashtu. Ai është dashur të tregohet trim, para se të shkoj në Bruksel, është dashur të del para Kuvendit të Serbisë dhe të kërkoj mandatin pse ka shkuar atje, sepse ajo që shkruhet në atë dokument nuk është në dorën e kryeministrit që ta pranoj”- ka thënë Jabllanoviq.

Sllagjana Pantoviq, politikane e pavarur nga Zveçani, ka thënë se Lista Serbe dhe individë të komunitetit serb kanë pasur raporte të mira me politikanë kosovarë si Haradinaj, Thaçi e Pacolli, madje sipas saj, ‘kanë hëngër pite bashkë’.

“Kanë bashkëpunuar mirë shumë, kanë hëngër pite bashkë, nuk kanë shpresuar se do të vijë dikush si Kurti dhe nuk kanë llogaritur që do ta luftojë krimin dhe do të mundohet ta çrrënjosë krimin”-tha ajo.

Pantoviq në emision #KallxoPernime ka thënë se Lista Serbe nuk e ka llogaritur që kryeministri Albin Kurti do ta luftojë krimin në veri.

“Mua askush nuk më bind që të gjithë ata që kanë punuar në gjykata, prokurori e polici, kanë punuar për Listën Serbe”- ka thënë Pantoviq.

Nenad Rashiq, ministër për Kthim dhe Komunitet në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se serbët në veri informohen vetëm nga televizioni shtetëror serb, pa ndonjë burim të dytë të informimit.

“Në Zveçan nuk ka asnjë media opozitare, atje shikohet TV Pink 24 orë  në ditë. Mund të shkoni dhe të shikoni se shumica e njerëzve në zonën jugore, ka informacion më të shumtë, ndërkaq në veri nuk ka burim të dytë të informimit, përveç atij shtetëror serb”- tha ai.

Sipas Rashiqit, serbët e pjesës veriore kanë më shumë presion nga Lista Serbe.

“Metodat e presionit, masat radikale ndaj serbëve, janë më ekstreme se në pjesën jugore, ndikimi i Listës Serbe është më i vogël në pjesën jugore”- tha ai.

‘Policët e dorëhequr në veri nuk mund të kthehen në vendet e tyre të punës’

Në emisionin #KallxoPernime u diskutua edhe për serbët të cilët dhanë dorëheqje nga institucionet në veri të vendit.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se kjo lidhet me çështjen e statutit të Asociacionit.

“Serbia ka kërkesën që normalizimi me këtë shtet kalon përmes normalizimit në veri. Kërkesa për rregullimin e statutit të Asociacionit, draftimin dhe miratimin e tij, statutit të Kishës Ortodokse dhe disa çështjeve të tjera atëherë bëhet procesi i kthimit në normalitet që nënkupton për Serbinë, kthimi i gjyqtarëve, prokurorëve e policëve nëpër vende të punës dhe organizimi i zgjedhjeve që janë paraparë të mbahen në prill apo edhe caktimi i një date tjetër”- ka thënë Haziri.

Zv/kryeministrja Emilia Rexhepi ka thënë se afati për kthimin e tyre ka përfunduar.

“Ligjërisht është e pamundur kthimi i tyre, ju e dini, Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkurs për zëvendësimin e tyre. Sa i përket gjyqësorit dhe çështjeve të tjera, nuk e di se si do të veprohet”- ka thënë Rexhepi.

Ndryshe në nëntor të vitit të kaluar, në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshi niveli qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur më 5 nëntor 2022 në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

VIDEO – Krejt çfarë ndodhi e çfarë u tha sot në mbledhjen e Listës Serbe në Mitrovicë të Veriut

Në bazë të Udhëzimit Administrativ për punësimin në Policinë e Kosovës, zyrtarët policorë që japin dorëheqje vullnetarisht, nuk kanë të drejtë të kthehen apo të punësohen në Policinë e Kosovës.

Megjithatë, procedura është që një punonjës policie duhet të paralajmërojë dorëheqjen në Drejtorinë e Personelit 30 ditë përpara, ndaj procedura për shkarkimin e tyre është ende në vazhdim. Policët kanë dorëzuar dorëheqjet ditët pas 5 nëntorit, kur në një takim me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq është marrë vendimi për largim nga institucionet e Kosovës.

Fillimisht ishte suspenduar drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Nenad Gjuriq, për shkak se kishte kundërshtuar të zbatonte masat e Qeverisë së Kosovës për targa serbe.

Kurse, dorëheqjen e ka dorëzuar shefi i operacioneve, Aleksandar Filipoviq. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më pas u dhuroi atyre Urdhërin e Meritës për Mbrojtje dhe Siguri të Shkallës së Parë dhe Medaljen e Artë për Guxim.

Baza ligjore për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës