VIDEO - Krejt çfarë ndodhi e çfarë u tha sot në mbledhjen e Listës Serbe në Mitrovicë të Veriut

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshi niveli qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur sot në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.

Sipas Rakiq, Prishtina në mënyrë konstante shkel të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet e Brukselit.

Ai ka thënë se populli serb në Kosovë është sistematikisht duke vuajtur terror të pandalshëm dhe dhunues nga institucionet e Prishtinës dhe në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme.

“Të kuptohemi, se ne serbët e Kosovës dhe Metohisë nuk i kërcënohemi askujt, por mundohemi që ta ruajmë paqen stabilitetin dhe të drejtën”-ka thënë ai.

Pas një fjalimi të gjatë, Rakiq njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij e ministrit në qeverinë Kurti.

“Pra, duke u bazuar në të gjitha që u thanë, unë Goran Rakiq jap dorëheqje nga pozita e ministrit në qeverinë e Prishtinës” – tha Rakiq.

Pas tij, fjalën e ka marrë përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nikolla Kabashiq.

“Në emër të gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe degës së Gjykatës së Apelit në Mitrovicë dhe në emër të punëtorëve administrativë të gjykatës, ne sot japim dorëheqje si gjyqtarë, prokurorë dhe punëtorë administrativë”-ka thënë Kabashiq.

Të pranishmëve u është drejtuar edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq.

Ai ka njoftuar se  kryetarët e katër komunave të veriut, të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit japin dorëheqje nga mandati i kryetarit, kryetarëve të asambleve komunale dhe asamblistëve.

Ndërsa, shefi i operativës në Policinë e Kosovës për veri, Aleksandar Filipoviq ka thënë se “së bashku me kolegët kemi marrë vendim të përbashkët që të japim dorëheqje nga Policia e Kosovës dhe t’i bashkohemi popullit”.

Zyrtarë të Listës Serbe, të Policisë, komunave me shumicë serbe, gjykatave dhe të institucioneve tjera janë parë duke hyrë në takimin e thirrur nga Lista Serbe në objektin e Komunës së Zveçanit.

Zyrtarë të Policisë së Republikës së Kosovës nga komuniteti serb i kanë zhveshur uniformat.