Kurti: Pala serbe nuk ishte e gatshme ta nënshkruajë planin franko-gjerman, unë po
Kryeministri Albin Kurti pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruante planin e Bashkimit Evropian, i njohur si plani franko-gjerman.
“Plani i zbatimit do të jetë plan se si të përkthehet në terren, në realitetet e dy shteteve, dakordimi i arritur. Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme. Unë kam shprehur gatishmërinë që ta nënshkruaj. Mendoj që është dëm që nuk u nënshkrua sot meqenëse jemi pajtuar” – tha Kurti.
Tutje ai tha që sot do të publikohet plani franko-gjerman.
Kurti ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në rrugë të mbarë.
“Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit për çka do të ketë diplomaci fluturuese, por edhe takim të lartë nga mesi i muajit mars. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë” – tha ai.
I pyetur nëse ka pranuar Asociacionin, Kurti ka thënë se Asociacioni është në nenin 10 të marrëveshjes.
“Ai është neni 10, është fjalia e fundit e nenit të fundit dhe për këtë gjë tashmë jam përgjigjur” – tha ai.
Takimi i sotëm Kurti- Vuçiq, sipas këtij të fundit përfundoi pa marrëveshje, sepse sipas tij kryeministri Albin Kurti nuk e pranoi formimin e Asociacionit.
Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.
Ata, po ashtu, takuan të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Takimi i Brukselit, nuk ka marrëveshje të nënshkruar