Jabllanoviq me qëndrim ndryshe për Asociacionin, e quan projekt të vjetruar

Në kohën kur po diskutohen modalitetet dhe mundësitë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, lideri i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, tha se Asociacioni është projekt i vjetër.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Jabllanoviq ka theksuar se duan një institucion, i cili mund edhe të quhet Asociacion i komunave serbe, siç janë marrë vesh Beogradi e Prishtina, përmes të cilit, të drejtat e tyre që i kanë të garantuara me Kushtetutë dhe ligje të Kosovës t’i shfrytëzojnë pa pengesë dhe pa kufizim.

“Projekt i para 10 viteve. Nuk është njëjtë të formosh Asociacion tash si të formosh Asociacion para 10 vitesh. Asociacioni i komunave serbe duhet t’u ofrojë serbëve një stabilitet. Një paqe më afatgjate. Një Republika Srpska e re, serbëve nuk do t’ju ofrojë paqe. Do të ndodhemi në një situatë ku do të kemi disa të drejta por do të jemi vazhdimisht në njëfarë konflikti me shqiptarët, të cilët janë shumicë. Kjo nuk është në interes të serbëve”, ka thënë Jabllanoviq.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se nuk pranon as që Prishtina e as Beogradi t’ua qëndisë të ardhmen e tyre politike.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian, i njohur si franko-gjerman, për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Këtë deklaratë Kurti e ka bërë dy ditë më parë pas takimit me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Ne do ta pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do ta konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara” – ka shkruar Kurti në Twitter.

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se vizita e tij në Prishtinë është në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.