Sa është e pasur Kryetarja e Gjykatës së Prishtinës

66 mijë euro ka vlerë banesa së bashku me garazh e kryetares së Gjykatës së Prishtinës, Afërdita Bytyçi.

Kështu ka deklaruar ajo në formularin për deklarimin e pasurisë.

Një banesë në sipërfaqe prej 76 m2 dhe garazha në sipërfaqe 15 m2 ka thënë se janë në emër të saj.

Kryetarja e Gjykatës së Prishtinës në formularin për deklarimin e pasurisë ka deklaruar edhe një arë 1.5 hektarësh, një truall me oborr në sipërfaqe 60 ari, një mal 80 ari dhe një shtëpi 250 m2, por për këto prona të pa luajtshme, e para e Gjykatës së Prishtinës ka thënë se janë në emër të prindërve të saj.

Në emër të saj ajo ka thënë se ka edhe një veturë në vlerë 7 mijë e 500 euro.

Bytyçi ka deklaruar se ka para të kursyera në bankë në vlerë prej 23 mijë eurove.

Por përpos parave të kursyer në bankë, kryetarja e Gjykatës së Prishtinës ka deklaruar se ka edhe borxhe.

Shumën prej 14 mijë euro ka thënë se e ka borxh për blerjen e banesës ndërsa ajo ka shtuar se ka edhe një këst mujor prej 80 eurove në kohëzgjatje për 8 muaj, këto para ajo ka thënë se i ka marrë për blerjen e aparateve të amvisërisë.

26 mijë e 966 euro Bytyçi ka thënë se i ka të ardhura vjetore nga paga dhe mëditjet ndërsa 5 mijë e 738 eurove nga angazhimet e tjera.