Këta janë pesë deputetët e LDK-së që shpenzuan më së shumti për udhëtime jashtë vendit

17 mijë e 735 euro janë shpenzuar gjithsej nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për udhëtime jashtë shtetit në gjashtë muajt e parë të vitit 2023.

Në këtë shifër janë llogaritur shpenzimet për akomodim dhe ‘shpenzimet e tjera’ gjatë këtyre udhëtime zyrtare.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka siguruar raportin e shpenzimeve të deputetëve të secilës parti në Kuvendin e Kosovës.

I pari në listën e LDK-së është kryetari i Grupit Parlamentar, Arben Gashi i cili për gjashtë muaj ka shpenzuar gjithsej 4,004 euro.

Sipas të dhënave, deputeti Gashi në këtë periudhë ka qenë në tri udhëtime në Francë, një udhëtim në Spanjë dhe një Finlandë.

I dyti është deputeti Avdullah Hoti me gjithsej 3,902 euro të shpenzuara për katër udhëtime zyrtare.

Hoti për këtë periudhë të vitit ka udhëtuar në SHBA, Tajvan, Danimarkë e Izrael.

Bazuar në raportin e Kuvendit, deputeti Hoti ka shpenzuar 1,693 euro për akomodim dhe 640 euro për shpenzime tjera.

Deputetja e tretë që ka shpenzuar me së shumti para në listën e LDK-së është Rrezarta Krasniqi.

Nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar gjithsej 2,706 euro për shpenzime dhe akomodim në udhëtimet zyrtare të deputetes Krasniqi.

Ndërsa, Armend Zemaj për udhëtime zyrtare jashtë shtetit ka shpenzuar 2,527 euro, përfshirë këtu shpenzimet për akomodim dhe shpenzime tjera.

Prej janarit deri në qershor Zemaj ka udhëtuar në SHBA, Shqipëri, Tajvan, dhe Gjermani.

I pesti në listën e shpenzimeve është deputeti Besian Mustafa. Shpenzimet e Mustafës kapin shifrën 1,500 euro për udhëtime zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bruksel.

Infografika: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputetët Valentina Bunjaku, Marigona Geci, Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala, Doarsa Kica Xhelili dhe Behxhet Pacolli janë deputetët që nuk kanë shpenzime të udhëtimeve në këtë periudhë kohore të 2023-tes.

Kuvendi i Kosovës ka shpenzuar gjithsej 91,892 euro për udhëtime, akomodim dhe shpenzime tjera të deputetëve nga të gjitha partitë në Kuvendin e Kosovës në periudhën janar – qershor 2023.

KALLXO.com në kuadër të dosjes ‘Sa han Shefi’, në vazhdimësi ka raportuar për shpenzimin e parës publike si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal.