Grupi Parlamentar i LVV-së. Foto: Kuvendi i Kosovës
Këta janë pesë deputetët e Vetëvendosjes që shpenzuan më së shumti për udhëtime jashtë vendit
KALLXO.com ka siguruar të dhënat për shpenzimet e Kuvendit të Kosovës për gjashtë mujorin e parë të vitit 2023.
Sipas këtyre të dhënave zyrtare, të siguruara përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, gjithsej shpenzuan 30, 881 euro për udhëtimet zyrtare jashtë vendit në periudhën janar-qershor 2023.
Në këtë shifër janë llogaritur shpenzimet për akomodim dhe ‘shpenzimet e tjera’ gjatë këtyre udhëtime zyrtare.
Pesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që shpenzuan më së shumti për udhëzime zyrtare janë; Jeta Statovci, Mimoza Kusari – Lila, Abreshë Kryeziu – Hyseni, Fitore Dalipi – Pacolli dhe Fjolla Ujkani.
Deputetja Jeta Statovci e cila është anëtare e Komisionit Parlamentar për Buxhet, është deputetja me më së shumti shpenzime në gjashtë muajt e parë të 2023-tes, nga grupi parlamentar i LVV-së.
Ajo gjithsej ka shpenzuar 4,128 euro për pesë udhëtime zyrtare, përfshirë shpenzimet për akomodim dhe ‘shpenzime tjera’ gjatë këtyre udhëtimeve.
Statovci brenda gjashtë muajve ka udhëtuar dy herë në SHBA, një herë në Shqipëri dhe një herë në Francë.
I dyta në këtë listë është shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari – Lila, e cila ka shpenzuar gjithsej 3,171 euro për tetë udhëtime zyrtare.
Ajo për këtë periudhë të vitit ka udhëtuar në SHBA, në Francë, Gjermani, Bruksel, dy herë në Zvicër dhe dy herë në Shqipëri.
Përveç shpenzimeve për udhëtim e akomodim, në emër të deputetes Kusari – Lila nuk figurojnë ‘shpenzime tjera’ për këto vizita zyrtare.
Deputetja e tretë që ka shpenzuar me së shumti para në listën e LVV- së është Arbëreshë Kryeziu – Hyseni e cila sipas të dhënave ka shpenzuar gjithsej 2,946 euro për katër udhëtime zyrtare.
Në këtë shumë, janë përfshirë edhe shpenzimet e akomodimit në udhëtimet zyrtare në Izrael, Suedi, SHBA e Tajvan.
Ndërsa, deputetja Fitore Dalipi – Pacolli për udhëtime zyrtare jashtë shtetit ka shpenzuar 2,307 euro, përfshirë këtu shpenzimet për akomodim dhe shpenzime tjera.
Prej janari deri në qershor ajo ka qenë në pesë udhëtime zyrtare, SHBA, Emiratet e Bashkuara, Mal të zi dhe dy herë në Shqipëri.
Ndërsa, e pesta me radhë për kah shpenzimi, është deputetja Fjolla Ujkani, që sipas të dhënave të ofruara nga Kuvendi, ka shpenzuar 2,070 euro.
Ajo ka udhëtuar në Kroaci, Suedi e ShBA. Prej kësaj shifre, 518 euro Ujkani i ka shpenzuar për akomodim.
Kuvendi i Kosovës ka shpenzuar gjithsej 91,892 euro për udhëtime, akomodim dhe shpenzime tjera të deputetëve nga të gjitha partitë në Kuvendin e Kosovës në periudhën janar – qershor 2023.
KALLXO.com në kuadër të dosjes ‘Sa han Shefi’, në vazhdimësi ka raportuar për shpenzimin e parës publike si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal.