Foto: Kallxo.com

Sa shpenzuan deputetët e AAK-së për udhëtime jashtë shtetit për periudhën janar-qershor 2023?

Përveç pagës bazë prej rreth 1,700 eurove, deputetët e Kuvendit të Kosovës e gëzojnë të drejtën për t’u kompensuar me mëditje edhe për udhëtimet zyrtare jashtë vendit.

KALLXO.com ka siguruar të dhënat për shpenzimet e Kuvendit të Kosovës për gjashtë mujorin e parë të vitit 2023 përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

Të dhënat tregojnë se nga secila parti e secili grup parlamentar në Kuvend, ka deputetë që kanë bërë shpenzime për udhëtimet jashtë vendit, për akomodim, e shpenzime të tjera.

Pesë deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që shpenzuan më së shumti për udhëzime zyrtare janë; Besnik Tahiri, Albena Reshitaj, Pal Lekaj, Time Kadrijaj dhe Albana Bytyçi.

Infografika: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Nga radhët e AAK-së, shefi i Grupit Parlamentar Besnik Tahiri është deputeti me më së shumti shpenzime në gjashtë muajt e parë të 2023-tes i cili gjithsej ka shpenzuar 5,729 euro për tetë udhëtime zyrtare, përfshirë shpenzimet për akomodim dhe shpenzime tjera gjatë këtyre udhëtimeve.

Sipas të dhënave të Kuvendit, gjatë kësaj periudhe Tahiri ka udhëtuar tri herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tri herë në Francë, njëherë në Letoni dhe njëherë në Shqipëri.

Për akomodim gjatë këtyre udhëtimeve, Tahiri ka shpenzuar 2,773 euro. Si dhe rreth 74 euro për shpenzime të tjera gjatë udhëtimit në SHBA.

I dyti për nga shpenzimet në listën e deputetëve të AAK-së për shpenzime është deputetja Albena Reshitaj e cila në gjashtë muajt e parë të 2023-tes ka shpenzuar gjithsej 2,629 euro për një udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej tyre, për akomodim gjatë këtij udhëtimi ajo ka shpenzuar 1,750 euro.

Deputeti Pal Lekaj për dy udhëtime që ka bërë brenda gjashtë muajve, një në Francë e një në Bruksel ka shpenzuar 1,374 euro.

Nga AAK-ja, deputetja e katërt për nga shpenzimet është Time Kadrijaj e cila ka shpenzuar gjithsej 1,356 euro për dy udhëtime brenda gjashtë muajve. Për akomodim gjatë një udhëtimi në Zvicër ajo ka harxhuar 695 euro.

E pesta në këtë listë është deputetja Albana Bytyci e cila për gjashtë muaj ka shkuar në dy udhëtime zyrtare, për të cilat ka shpenzuar 871 euro. Këtu janë përfshirë shpenzimet për akomodim, ku gjatë njërit udhëtimit në Bruksel ajo ka shpenzuar 222 euro dhe 49 euro ‘për shpenzime tjera’.

Para për udhëtim jashtë vendit ka shpenzuar edhe deputeti Bekë Berisha. Ai ka harxhuar në Tajvan 208 euro për një udhëtim zyrtar.

Më së paku shpenzime për udhëtime jashtë shtetit ka bërë kryetari i partisë Ramush Haradinaj. Ai ka shpenzuar gjithsej 240 euro për një udhëtim zyrtar në Gjermani. Haradinaj sipas të dhënave të Kuvendit, nuk ka shpenzuar para tjera për akomodim gjatë këtij udhëtimi.

Deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj është i vetmi nga AAK-ja që nuk ka shpenzuar para nga kuleta e shtetit për gjashtë muajt e parë të 2023- tës.

Gjithsej deputetët e Grupit Parlamentar të AAK- së për udhëtime jashtë vendit prej janarit deri në qershor të vitit 2023 kanë harxhuar nga buxheti i shtetit 5,908 euro.

Kuvendi i Kosovës ka shpenzuar gjithsej 91,892 euro për udhëtime, akomodim dhe shpenzime tjera të deputetëve nga të gjitha partitë në Kuvendin e Kosovës në periudhën janar – qershor 2023.

KALLXO.com në kuadër të dosjes ‘Sa han Shefi’ dhe dosjes ‘Sa han kryetari’ në vazhdimësi ka raportuar për shpenzimin e parës publike si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal.

KALLXO.com në kuadër të dosjes ‘Sa han Shefi’, në vazhdimësi ka raportuar për shpenzimin e parës publike si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal.