Deputetet, PDK

Grupi Parlamentar i PDK-së. Foto: Kuvendi i Kosovës

Këta janë pesë deputetët e PDK-së që shpenzuan më së shumti për udhëtime jashtë vendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës përveç pagës bazë e mëditjeve, gëzojnë të drejtën për t’u kompensuar edhe për udhëtimet zyrtare jashtë vendit.

KALLXO.com ka siguruar të dhënat për shpenzimet e Kuvendit të Kosovës për gjashtë mujorin e parë të vitit 2023.

Sipas këtyre të dhënave, deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, gjithsej shpenzuan 13,824 euro.

Pesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës që shpenzuan më së shumti për udhëzime zyrtare janë; Blerta Deliu – Kodra, Ariana Musliu – Shoshi, Xhavit Haliti, Floretë Zejnullahu dhe Elmi Reçiça.

Deputetja Blerta Deliu Kodra e cila është edhe anëtare në Komisionin për Integrim Europian, është deputetja me më së shumti shpenzime në gjashtë muajt e parë të 2023-tes, nga radhët e PDK-së.

Ajo gjithsej ka shpenzuar 3,269 euro për pesë udhëtime zyrtare, përfshirë shpenzimet për akomodim dhe ‘shpenzime tjera’ gjatë këtyre udhëtimeve.

Deliu Kodra brenda gjashtë muajve ka udhëtuar dy herë në SHBA, një herë në Bruksel, një udhëtim në Tajvan dhe një në Shqipëri.

E dyta për nga shpenzimet brenda grupit të deputetëve të PDK-së për shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit është deputetja Ariana Musliu – Shoshi e cila në gjashtë muajt e parë të 2023-tes ka shpenzuar 1,811 euro sipas të dhënave të Kuvendit.

Në këtë shifër përveç udhëtimit dhe akomodimit, përfshihen edhe 400 euro që deputetja i ka përdorur për ‘shpenzime tjera’ gjatë udhëtimeve zyrtare në Gjermani dhe Francë.

Deputeti Xhavit Haliti për gjashtë muaj ka shpenzuar 1,739 euro në tri udhëtime zyrtare; Suedi, Luksemburg e Zvicër.

Vendin e katërt në listën e deputetëve të PDK-së e zë deputetja Floretë Zejnullahu, e cila ka shpenzuar gjithsej 1,535 euro për një udhëtim në Bruksel dhe një në Francë. Për akomodim në këto udhëtime ajo ka shpenzuar 898 euro.

Ndërsa, në vendin e pestë është deputeti Elmi Reçiça, i cili ka shpenzuar 1,166 euro. Prej këtyre 547 euro janë shpenzuar për akomodim në udhëtimet në Francë, Maqedoni të Veriut e Kroaci.

Kuvendi i Kosovës ka shpenzuar gjithsej 91,892 euro për udhëtime, akomodim dhe shpenzime tjera të deputetëve nga të gjitha partitë në Kuvendin e Kosovës në periudhën janar – qershor 2023.

KALLXO.com në kuadër të dosjes ‘Sa han Shefi’, në vazhdimësi ka raportuar për shpenzimin e parës publike si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal.