Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ajazi: Lladrovci e ka amnistuar Ferronikelin sepse familjarët kanë kontrata milionëshe

Kandidati për kryetar të Drenasit nga Demokratët për Drenasin, Driton Ajazi ka pasur akuza për kryetarin aktual Ramiz Lladrovci në lidhje me fabrikën e Feronikelit, duke aluduar se Lladrovci e ka amnistuar këtë kompani për shkak se fmailajrët e tij kanë kontratë me të.

“Një ndër ndotësit më të mëdhenj është Ferronikeli. Lladrovci e ka amnistuar atë sepse familjarët e tij kanë kontrata milionëshe me kompaninë e Ferronikeli. Ne do ta mbështesim kompaninë, por jo në këmbim të milionave por të shëndetit të qytetarëve”, ka thënë Ajazi.

Ramiz Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se kontratat me familjarët e tij janë publike në faqen e kompanisë Ferronikeli.

“Djemtë e mi nuk punojnë fshehtas e as vëllai im. Në faqen e kompanisë janë publike kontratat të cilat i raporton vazhdimisht. Ndërsa Ferronikelit nga 40 mijë euro ia kam rritë taksën e operimit në 100 mijë euro. Ky është favori im që ia kamë bërë Ferronikelit”, ka thënë Lladrovci.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Drenasit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Drenasit: Arta Ahmeti Xhylani nga AAK; Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin; Fejzi Kiqina nga LVV; Ramiz Lladrovci nga PDK dhe Xhavit Drenori nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin”.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Drenasit: Edolina Plakiqi nga AAK; Egzona Tërdevci nga LVV; Egzona Jetullahi nga PDK; Erstina Nika nga LDK; Heroina Krasniqi nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin dhe Sadete Hysenaj nga Demokratët për Drenasin.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.