LDK: Në qeverisjen tonë nuk do mungojnë barnat esenciale

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani në #Debatpernime ka premtuar se gjatë mandatit të saj si kryeministre nuk do të ketë mungesë të barnave esenciale.

Ajo ka deklaruar se lista e barnave esenciale është prioriteti numër një i saj.

“Absolutisht nuk do të ketë mungesë të barnave esenciale. Ky është prioriteti im numër një. Si një nanë e dy fëmijëve që e shfrytëzoj shërbimet QKUK-së, është tejet e rëndësishme për mua që asnjë prind, asnjë fëmijë, asnjë familje të mos ketë nevojë të del nga spitali për shërbimet elementare, për barnat për materialet shpenzuese”, u shpreh Vjosa Osmani në Debat Pernime.

Osmani gjithashtu ka shtuar se duhet t’i parandalojnë qytetarëve dhimbjen e dyfishtë.

“Duhet të ia parandalojmë qytetarëve dhimbjen e dyfishtë. E para që duhet të largohen nga vendi i tyre që të gjejnë shërim dhe e dyta se një familje bankroton vetëm pse një anëtar i familjes përballet me sëmundje, të cilat nëse ne i krijojmë kushtet, ata mund të shërohen në Kosovë.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partite, të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Haxhi Avdyli, Arben Gashi, Hykmete Bajrami dhe Xhavit Rexhaj. Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.