Shtyhen rezultatet përfundimtare, VV ankohet në Supreme për 392 pako vota të diasporës

Lëvizja Vetëvendosje iu ka drejtuar përsëri Gjykatës Supreme.

Ky subjekt politik njoftoi se ankesën ndaj 392 pakove me fletëvotime të ardhura me vonesë nga Diaspora sot e ka dorëzuar në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Dje, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa hodhi poshtë ankesën e LVV-së për numërimin e këtyre votave.

“Për sa kohë që vazhdonte rinumërimi dhe ende pa u shpallur rezultatet, kemi kuptuar që në adresë të KQZ-së kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime të bashkatdhetarëve me të drejtë vote. Gjykata Supreme, në frymë dhe përmbajtje në dy raste të mëparshme ka konfirmuar të drejtën e votuesve nga mërgata që fletëvotimet e tyre të dërguara me kohë dhe para datës së zgjedhjeve, të numërohen dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar”, thuhet në njoftimin e partisë e cila doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Aktgjykimet e Gjykatës Supreme do të duhej të shërbenin si bazë e mjaftueshme që KQZ të bëjë edhe numërimin e këtyre 392 pakove, por pas refuzimit për t’i numëruar dhe refuzimit nga ana e PZAP-së për të urdhëruar KQZ-në, çështjen e kemi adresuar në Gjykatën Supreme”, thuhet tuje në njoftim.

Vetëvendosje ka shpjeguar edhe arsyet e ankesës drejt Supremes.

“E drejta e votës si e drejtë kushtetuese dhe universale, duhet të mbrohet dhe të respektohet. Ndërsa çdo votë e ardhur në adresë të KQZ-së dhe e nisur nga votues të regjistruar dhe brenda afatit, duhet të numërohet dhe të përfshihet në rezultatin përfundimtar”, nënvizon kjo parti në njoftimin për media.

“Shumë shpesh disa palë të përfshira në proces kanë pretenduar se ankesat po e vonojnë çertifikimin. Ju kujtojmë se faktori kryesor që ka shkaktuar këtë stërzgjatje të kalendarit të aktiviteteve të KQZ-së është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ka një numër të konsiderueshëm të vendimeve arbitrare të këtij institucioni, të rinumërimeve, ndërhyrjes në rezultat. Dhe ajo çfarë është më arbitrare, është mosrespektimi i aktgjykimeve të Gjykatës Supreme lidhur me votat e mërgatës. Në kushte normale, do të kishte mjaftuar vetëm një vendim i Gjykatës Supreme, që për të gjitha rastet e njëjta të vendosjes në analogji nga ana e KQZ-së dhe PZAP-së”, thuhet në fund të njoftimit.

Vetëvendosje pret që Gjykata Supreme të rikonfirmojë edhe njëherë këtë të drejtë dhe të urdhërojë numërimin e tyre pa humbur kohë.

Nisma: Përfundoi rinumërimi, jemi pjesë e Kuvendit

 

www.kallx.com