Vëzhguesit e BE-së: Të kënaqur me votimin në zgjedhje, të pakënaqur më numërimin

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian vlerëson se procesi i zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit në Kosovë ka qenë i administruar mirë dhe transparente, por që procesi i numërimit vuri në pah disa probleme të cilat duhet të adresohen në reformën zgjedhore në Kosovë.

Në raportin të cilin vëzhguesit e BE-së e publikuan sot, u tha se edhe në këto zgjedhje ka pasur keqpërdorim të resursve publike dhe mungesë të transparencës në financimin e fushatës nga paritë politike.

Shefja e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga BE, njëherit deputete e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubade tha se: “Dita e zgjedhjeve ka qenë në rregull dhe vëzhguesit e misionit kanë vlerësuar në mënyrë pozitive votimin, dhe më pak pozitive numërimin. Megjithatë keqpërdorimi i resurseve publike dhe mungesa e transparencës së financimit të fushatës ka rezultuar në një terren jo të barabartë për Kosovën.

Ajo poashtu përmendi presionin në zonat e banuara nga komuniteti serb për të votuar një parti të caktuar.

“Ka pasur mungesë të konkurrencës në zonat e serbe të Kosovës dhe mjedisi është dëmtuar shumë nga frikësimi cili i kishte në shënjestër kanidatët që nuk ishin të Listës Serbe”, tha ajo.

Tutje ajo theksoi se kredibiliteti i numërimit të votave dhe vonesat në certifikim janë bërë nga mos marrja e vendimeve me kohë të KQZ-së dhe kundërthëniet e vendimeve mes Gjykatës Supreme dhe PZAP.

“Rezultatet preliminare të publikuara pas ditës së zgjedhjeve kanë qenë të besueshme megjithatë kredibiliteti i numërimit dhe tabelimi pas ditës së zgjedhjeve është ndikuar negativisht nga mungesa e vendimeve të KQZ-së nga trajtimi joefikas i ankesave nga PZAP, si dhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, këto kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë dhe kanë ndikuar në vonesat e certifikimit të rezultateve.

Viola von Cramon-Taubade, i paraqiti edhe 23 rekomandime për reformën zgjedhore në Kosovë, që sipas saj do të përmirësonin zgjedhjet në vend.

“Së pari korniza ligjore përfshinë dispozita për të ftuar apo për të shpallur zgjedhje të përgjithshme për një periudhë shumë të shkurtë zgjedhore, kjo rritë rrezikun që të komprometohen zgjedhjet. Në të ardhëm nëse ka zgjedhje ato duhet të thirren së paku dy muaj më herët për të mundësuar përgatitjen më kohë”, tha ajo.

Tutje tha se numri i votave të pavlefshme mbetet prap i lartë dhe për këtë duhet të edukohet votuesi.

“Edhe pse numri i votave të pavlefshme ka qenë më i ulët se në zgjedhjet parlamentare të 2017 , prap mbetet i lartë, kjo çështje ka të bëjë më edukimin e votuesve, ne rekomandojmë që dizajnohet fletvotimi në mënyrë që të kuptohet”, tha ajo.

BE poashtu ka rekomanduar edhe pastrimin e listave zgjedhore, rregullimin e blerjes së kohës në media nga subjektet politike, si dhe publikimin e raporteve financiare të fushatës.

Zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor të vitit 2019, nga këto zgjedhje e para doli Lëvizja Vetëvendosje, e dyta LDK si dhe e treta PDK.

Këto zgjedhje të parakohshme kanë ardhur pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës së tij nga Gjykata Speciale.