S’ka datë për takimin e radhës VV-LDK
Ende nuk është caktuar takimi i radhës në nivel të kryetarëve të partive ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albin Kurti e Isa Mustafa, për të biseduar për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Kështu kanë bërë të ditur për KALLXO.com nga VV-ja.
“Ende nuk është caktuar ndonjë takim”, ka thënë për KALLXO.com, Arlind Manxhuka, zëdhënës i këtij subjekti politik.
Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në LDK, por që nuk ka marr përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ku VV doli e para dhe LDK-ja u rendit e dyta, përfaqësues të tyre zhvilluan takime në nivel të grupeve punuese, nga të cilat thanë se harmonizuan 100 për qind programin qeverisës.
Por finalizimi i koalicionit ende nuk është arritur edhe pas dy takimeve mes liderëve të partive Albin Kurti (VV) dhe Isa Mustafa (LDK).
Arritjen e koalicionit, gjatë kësaj jave në mënyrë simbolike e ka kërkuar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.
Një ditë më parë, Heldt ka deklaruar se kjo është një javë vendimtare për përmbledhjen me sukses të koalicionit, duke aluduar në marrëveshjen e pritshme mes VV-së e LDK-së.
“Dielli po përplaset me mjegullën dhe retë. Ogur i mire mëngjesin e së hënës për të përmbledhur me sukses bisedimet e koalicionit. Kosovës i duhet qeveria e re, të gjithë duam të rikthehemi në punë. Paçi një fillim të shkëlqyeshëm për këtë javë vendimtare”, ka shkruar ambasadori gjerman në Twitter.
Në anën tjetër, ankesat e subjekteve politike për rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, e zgjatën procesin drejt certifikimin të rezultateve deri me 27 nëntor, për shkak të procedurave ligjore.
Ndërkaq, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton se Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda 30 ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit.
Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit.
Kurse, presidenti i vendit Hashim Thaçi, javën e kaluar nga Berlini deklaroi se partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, duhet të fillojë me formimin e qeverisë.
“Partia fituese duhet të fillojë me formimin e qeverisë. Dua të theksoj se çdo proces me Serbinë do të trajtohet në nivel të dy shteteve sovrane dhe me konsensus politik në Kosovë. Unë jam president dhe do të investoj në arritjen e konsensusit të brendshëm në Kosovë. Polarizimet nuk ndalen në sistem pluralist, por ka ardhur koha që të kemi një pako të prioriteteve në mes të pozitës dhe opozitës, që në këto çështje të mos ketë dallime”, ka thënë Presidenti.
Kreu i shtetit është zotuar se si president i vendit do ta luaj rolin e tij për unifikimin e skenës politike.
Dy muaj pas zgjedhjeve, në pritje për formimin e institucioneve të reja