Shpend Ahmeti jep dorëheqje nga kryetari i PSD-së
Kryetari aktual i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për të gjitha strukturat udhëheqëse të partisë, duke filluar nga kryetari.
Ahmeti përmes një publikimi në Facebook ka shtuar se kjo i mundëson të reflektojnë dhe të marrin përgjegjësi për humbjen në zgjedhje nacionale të 6 tetorit.
Ahmeti ndër të tjera ka njoftuar se ka vendosur që të mos kandidojë për asnjë pozitë në parti.
“E para si marrje e përgjegjësisë për rezultatin zgjedhor, por arsyeja kryesore është angazhimi kryesor dhe i vetëm i imi në Komunën e Prishtinës”, ka shkruar kryetari i PSD-së.
Në zgjedhjet e 6 tetorit, PSD-ja kishte garuar në një listë të përbashkët me AAK-në e Ramush Haradinajt. Sipas rezultateve të KQZ-së, PSD ka mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës.
Postimi i plotë i Shpend Ahmetit në Facebook:
Të nderuar,
Meqenëse tani kanë kaluar më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kemi pas kohë si Parti Socialdemokrate që të vlerësojmë rezultatin zgjedhor dhe arsyet për rezultatin zgjedhor. Gjatë kësaj periudhe kemi diskutuar në kryesi disa herë. Përderisa janë diskutuar arsye të ndryshme, ka qenë një emërues i përbashkët i analizës, e ajo ka qenë që nuk drejtojmë gishta te asnjëri individualisht sepse të gjithë kemi pas përgjegjësi për vendimet e marra e për të cilat besojmë se kanë qrnë të arsyeshme e të drejta.
Natyrisht se përgjegjësia më e madhe është e imja si kryetar i subjektit. Për të mos kërkuar përgjegjësi nga asnjëri individualisht, si kryetar i subjektit kam kërkuar mbledhjen e Kuvendit të PSD si organ më i lartë vendimmarrës në subjekt. Meqenëse edhe Statuti i PSD kërkon mbajtjen e zgjedhjeve pas zgjedhjeve nacionale për Kuvendin e Kosovës, sot kam kërkuar nga Kuvendi i PSD mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për të gjitha strukturat udhëheqëse të partisë duke filluar nga kryetari. Kjo na mundëson që kolektivisht të reflektojmë dhe të marrim përgjegjësi si parti. Ky propozim u aprovua në mënyrë unanime dhe që nga sot PSD do të ketë kryetar të ri dhe Këshill të ri. Pastaj Këshilli do ta votojë kryesinë e re dhe pozitat tjera udhëheqëse në parti.
Po ashtu ju njoftoj se unë kam vendosur që të mos kandidojë për asnjë pozitë në parti. E para si marrje e përgjegjësisë për rezultatin zgjedhor, por arsyeja kryesore është angazhimi kryesor dhe i vetëm i imi në Komunën e Prishtinës. Tash e tutje dhe deri në përfundim të mandatit në Komunën e Prishtinës unë nuk do të marr asnjë angazhim tjetër në asnjë insitucion tjetër duke u fokusuar plotësisht në përmbushjen e premtimeve të dhëna në vitin 2017.
Kosova ka nevojë për opozitë të mirëfilltë e të fortë pa marr parasysh se kush është në qeveri. Jam i bindur se PSD ka mjaftueshëm njerëz e kuadro profesionale për ta udhëhequr në sfidat e radhës të adresimit të problemeve shoqërore, ofrimit të zgjidhjeve socialdemokrate, si dhe monitorimit të qeverisë.
Kryetarit të ri dhe organeve të reja drejtuese ju uroj suksese në sfidat e radhës. Socialdemokracia për mua mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve shoqërore.