Nenad Rashiq aplikon me koalicion por ankohet ndaj kërcënimeve të Listës Serbe (VIDEO)

Lideri i serbëve të Kosovës, Nenad Rashiq, me partnerë të tij ka dorëzuar pak para mesnatës aplikacionin për një koalicion i cili përfaqëson serbët e Kosovës.

Koalicioni i partive Progresivna Demokratska Stranka dhe Nova Partija Kosova si dhe i disa iniciativave qytetare po shihet si rivale e Listës Serbe ndëërsa Rashiq ka thënë se synimi i këtij koalicioni është fuqizimi i serbëve të Kosovës brenda institucioneve të vendit.

“Esenca është në fuqizimin politik të skenës politike të serbëve. Jemi në favor të fuqizimit dhe bashkëpunimit me institucionet e Kosovës ashtu siç kemi treguar dhe dëshmuar deri më tash të gjithë ata që jemi këtu”, tha Rashiq.

“Një synim është fuqizimi i serbëve në institucionet e Kosovës në atë formë që serbët autentikë të Kosovës do të marrin përgjegjësi dhe do të marrin fuqi që të vendosin për jetën e vet brenda Kosovës dhe brenda institucioneve të Kosovës”, shtoi ai.

Ai u tregua i matur kur u pyet nëse synon që me këtë koalicion ta mundë Listën Serbe ndërsa kërkoi mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ofrimin e sigurisë që serbët të votojnë të qetë dhe të sigurt, sidmos në veri.

“Nuk do të jetë lehtë të mundet Lista Serbe sepse kemi një oponent i cili i përdor të gjitha mjetet e mundshme. Lista Serbe nuk është vetëm subjekt politik lokal, kjo e ka një sponsor shumë të fuqishëm i cili nuk heziton t’i përdorë të gjitha metodologjitë e mundshme jo vetëm financiare por poashtu edhe shantazhe dhe në fund dhunë fizike. Kemi pasur rastin ta shohim dhunën fizike në veri”, tha ai.

“Por sidoqoftë, ne konsiderojmë dhe jemi të sigurt se po e bëjmë punën e mirë dhe të drejtë dhe nga aspekti moral jemi të sigurt se kjo është e vetmja mënyrë me të cilën mund ta rrisim rolin e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Problemet kanë nisur, na inkurajon mesazhi i sotëm nga Quint, është një inkurajim por ky është vetëm fillimi. Duhet të sigurohemi që institucionet e Kosovës do të punojnë në të gjithë sektorët dhe rajonet e Kosovës, në veçanti atje ku është më së shumti e duhur dhe ajo është veriu i Kosovës”, tha Rashiq.

“Ne jemi autoktonë, vet jetojmë këtu dhe vet po punojmë për të mirën e të gjithë popujve që jetojnë në Kosovë. Ata tjerët e kanë një rol të veçantë, e kanë një rol, ose siç e tha vet (Marko) Gjuriq, ata janë mekanizëm i cili përdoret për interesa të dikujt tjetër. Jo për interesa të serbëve por të dikujt tjetër”, tha ai.