Foto: ZKM

Kurti: Strehimi është prioritet, 380 familje të komuniteteve joshumicë kanë përfituar material ndërtimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ndihma për familjet e cenueshme është prioritet i qeverisjes së tij.

Në konferencën e donatorëve për strehimin të qëndrueshëm të familjeve të komuniteteve joshumicë të kthyera në Kosovë, Kurti tha se vend ka persona që kalojnë netët duke fjetur në ambiente të jashtme.

“Jam shumë mirënjohës për humanitetin e agjencive që kanë ndihmu me ndryshu këtë fakt në kohën kur po mundohemi me gjet një zgjidhje të qëndrueshme që këto familje të flenë të sigurta dhe me ndjenjën që kanë shtëpi. Strehimi i familjeve të cenueshme është prioritet i qeverisë tonë, vitin e kaluar kemi nda financim për mbi 380 familje që kanë marrë materiale ndërtimore si dhe financu, për shtëpi të reja nga Ministria komuniteti dhe kthim por edhe nga MAPL”- tha Kurti.

Ai tha se sot janë mbledhur për të diskutuar planin se si të strehohen 60 familje, ndërsa do të diskutohet edhe kosto e ndërtimit të shtëpive.

Ndërsa, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se duhet që të punohet në riatdhesimin e personave të shpërngulur.

Ai tha se disa nga përfituesit tashmë veç janë të regjistruar.

“Sikur u përmend do te doja të nisja prej fillimit se sa është kompleks procesi i kthimit. Për vitin e ardhshëm kemi ambicie të mëdha me projektin “Kthimi urban”, jam i lumtur por edhe frikohem nga sfidat që do të ballafaqohemi. Ministria do të jetë e përkushtuar për këto programe qe kemi përmend. Të gjitha këto procedura qe duhet të kryhen ne jemi në dispozicion. Veçse kemi të regjistruar një numër të caktuar të këtyre përfituesve”- ka thënë ai.

Ndërsa ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se në qeverisjen Kurti për tri vite janë dediku më shumë se 5 milionë euro për përkrahjen e komuniteteve jo shumicë.

“Qeveria e Kosovës përmes 3 viteve ka qenë e dedikuar për të përkrahur komunitetet jo shumicë dhe këtë vit kemi pas sukses në ofrimin e 57 shtëpive të reja për këta pjesëtar te komuniteteve jo shumicë. Vitin e ardhshëm do kemi po aq shtëpi. Në 3 vite janë dediku më shumë se 5 milionë euro. Do te fokusohemi tash në një tjetër aspekt”- tha ai.

I pranishëm në këtë konferencë ishte dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbot.

Teksa foli për rëndësinë e këtyre ndihmave, ai tha se ka qenë i përfshirë në projekte të tilla që nga vitit 2018.

“Britania e Madhe ka qenë e përfshirë në ketë ndihmë prej vitit 2018. Pa marre parasysh a ka qenë kthim i serbeve, shqiptarëve apo komuniteteve tjera. Në vitet 2015-17 ka pas rom që janë kthy nga Maqedonia një numër kanë gjet zgjidhje e një numër jo. Besoj qe kjo është një prej rasteve kur përfshirja e ndonjë ambasadori e bën dallimin”- ka thënë ai.