Rashiq: 17 mijë klientë të Bankës Komerciale kanë hapur xhirollogari në mënyrë automatike

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka thënë se kanë qenë në dijeni që nga viti 2022 për mbylljen e Bankës Komerciale, i vetmi institucion i licencuar bankar.

Ai tha se askush nga administrata nuk e ka parë të udhës që të riaplikojnë për licencë.

Rashiq tha se nga të dhënat që i janë prezantuar nga BQK, 17 mijë nga 20 mijë klientët e Bankës Komerciale kanë hapur në mënyrë automatike apo me vet-pëlqim të klientit kanë hapur xhirollogari në institucionin bankar, NLB.

“Në mënyrë automatike në momente të para kur është mbyll banka komerciale prej 20 mijë klientëve që ka pas 17 mijë kanë vendos që të hapin xhirollogari në NLB. Këto janë të dhëna nga BQK”- tha ai.

Rashiq. sot është takuar me Guvernatorin e Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili.

Guvernatori Ismaili gjatë këtij takimi ka njoftuar ministrin Rashiq për ndryshimet e fundit në Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj.

Në komunikatën e BQK-së thuhet se ministrit Rashiq i është sqaruar se “rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK”.

“Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në Euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet. Ndërsa, ata që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024”- thuhet në njoftimin e BQK-së.

Gjithashtu, Guvernatori Ismaili ka bërë të ditur gjatë takimit se vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore.

“Ministri Rashiq vlerësoi lartë rolin e BQK-së dhe angazhimin e saj, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar brenda kapacitetit të tij, më qëllim rritjes së përfshirjes financiare dhe zgjerimit të mundësive për qasje financiare për të gjitha komunitetet”- thuhet në komunikatë.

BQK: Përfundon vullnetarisht veprimtaria bankare në Kosovë e “Komercijalna Banka AD Beograd”, dega në Mitrovicë