Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Rashiq kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës: Po i goditni komunitetet

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka kërkuar heqjen e masave që Bashkimi Europian ia ka vendosur Kosovës.

Ai ka përmendur dy programe bashkëfinancimi që, sipas tij, janë bllokuar nga këto masa.

Rashiq ka thënë se për këtë arsye vendosja e masave ka goditur komunitetet.

“Masat e BE-së ndaj Kosovës janë tragjikomike. Kemi dy programe të bashkëfinancuara dhe këto kanë për qëllim mbrojtjen e komuniteteve dhe forcimin dhe kam kërkuar nga zotëri Tomas dhe ju lus të bëni çmos t’i përjashtoni këto dy programe nga masat. Me këto masa po i goditni komunitetet, ju lus të bëni diçka për këto masa sepse nuk po mundemi të bëjmë diçka me programet”- ka thënë ai.

Ministri Rahiq ka thënë se po bën çmos që serbët në katër komunat në veri të marrin pjesë në zgjedhje.

“Besoj që sfidat që mund t’i kalojmë në veri është të kemi një referendum. Unë dhe partia ime jemi duke bëre çmos që ata atje të marrin pjesë në zgjedhje”- u shpreh ai.

Në takimin e 11-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, eurodeputeti austriak Lukas Mandl ka folur për çështjet e dialogut Kosovë- Serbi dhe për masat që Bashkimi Europian ia ka vendosur Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës, ai ka përkujtuar se Parlamenti Europian ka kërkuar heqjen e atyre masave.

Eurodeputeti Mandl kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës

Që nga 28.06.2023, Bashkimi Europian ka aplikuar sanksione ndaj Kosovës në lidhje me “situatën e krijuar në veri dhe vendimin e autoriteteve për të mos u koordinuar me partnerët europianë për uljen e tensioneve”.

Tensionet ndëretnike ishin ngritur që nga 24 maji 2023, kur kryetarët shqiptarë të katër komunave të veriut ishin vendosur në objektet komunale në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.