Rashiq për ndalimin e përdorimit të dinarit: Qytetarëve do t'u mundësohet të hapin xhirollogari falas

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka mbajtur konferencë për media lidhur me rregulloren për operacione me para gatshme të Bankës Qendrore të Kosovës.

Rashiq ka thënë se dje ka pasur takim me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili dhe me kryeministrin Kurti ku i është sqaruar rreth ndalimit të përdorimit të dinarit si mjet pagese në Kosovë.

“Unë dje kam pasur një takim me Guvernatorin, Ahmet Ismaili në lidhje me ngjarjet rishtazi sa i përket rregullores së BQK-së , Ismaili ka qenë shumë i thukët me shpjegimin e tij sa i përket implementimit të kësaj rregullore. Dje pasdite jam takuar dhe me Kurtin që dua ta falënderoj për gjetjen e mënyrës për implementimit të rregullores dhe përdorimit të dinarit”- tha ai.

Ministri Rashiq tha se kanë rënë një përfundim gjatë takimit me Kurtin që të ketë një periudhë të tranzicionit që qytetarët të kenë kohë të bëhen gati.

“Pasdite dje kur jam taku me Kurtin, kemi ardhur deri te një përfundim që Kurti edhe e ka shpall, kjo sa i përket një periudhe tranzicioni që shfrytëzuesit të përgatiten për përdorimin e euros. Mendoj që kjo është mënyra e duhur që ne duhet të vazhdojmë” – tha ai.

Rashiq tha se personave që nuk kanë llogari bankare do t’iu mundësohet që të hapin pa pagesë xhirollogari.

Ministri Rashiq tha se ekzistojnë dhe janë diskutuar dy mënyra të përdorimit të dinarit në Kosovë.

E para sipas Rashiq është bashkëpunimi në mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Ai tha se ka marrë konfirmimin nga guvernatori Ismaili që sot do të kontaktojnë më Bankën Qendrore të Serbisë.

“Ekzistojnë dy mënyra sa i përdorimit të dinarit, e para është që BQK e Kosovës dhe Serbisë të zhvillojnë një transaksion. Unë dje kam marrë konfirmimin nga Ismaili që BQK do të kontaktojnë BQK në Serbi konvertimi i dinarit në euro do të jetë shumë i lehtë” – deklaroi Rashiq.

Ndërsa si mënyrë të dytë tha që bankat që kanë përfaqësi në Kosovë dhe Serbi, të bëjnë konvertimin e valutave direkt.

Sa i përket rregullores ai tha se ajo është në përputhje të plotë me rregulloren evropiane për pagesat.

Rregullorja e re e BQK-së për operacionet me paratë e gatshme ka hy në fuqi nga data 1 shkurt 2024.

Sipas Rregullores, valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë është euro.

Ky vendim u kritikua nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa për këtë guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës e “vizituan” ambasadori i BE-së në Kosovë dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

ShBA-të kanë kërkuar shtyrjen e këtij vendimi ndërsa Bashkimi Evropian ka kërkuar periudhë të gjatë tranzicioni.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili në Kallxo Përnime ka thënë se motivet kryesore për vendimin që lidhet me ndalimin e dinarit serb si mjet pagese në Kosovë është lufta kundër pastrimit të parasë, kundër terrorizmit dhe forcimi i integritetit të sistemit financiar.