Presidenti Hashim Thaçi | Foto; ZKM

Thaçi: Ratifikimi i Marrëveshjes i Jep Fund Izolimit të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mirëpritur dhe përgëzuar Qeverinë për vendimin e sotëm për të proceduar për ratifikim në Kuvend Marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

“Dua të besoj në vullnetin politik dhe shtetëror të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve, por njëkohësisht ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre, që të jenë të bashkuar në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndër-shtetërore”, ka theksuar presidenti Thaçi në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas presidentit, ratifikimi i Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare i jep fund izolimit të Kosovës, duke mundësuar heqjen e regjimit të vizave, por edhe e forcon subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

“Me vendimin e sotëm të Qeverisë merr fund saga e debateve shterpe akademike, e cila duke mos sjellë asnjë argument të ri, për tri vite me radhë ka prolonguar izolimin e qytetarëve të vendit, duke shkaktuar konfuzion dhe frikë se kinse Kosova rrezikon të humbet territor”, ka theksuar presidenti.

“Tani është koha që Kuvendi i Republikës së Kosovës të marrë vendimin e vet meritor në interes të qytetarëve të vendit, të cilët me durim të pashembullt janë duke pritur me vite të tëra heqjen e vizave, respektivisht heqjen e izolimit”, ka shkruar ai.

Ndryshe, sot Komisioni qeveritar për vlerësimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi paraqiti para Qeverisë të gjeturat e tij rreth çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.

http://kallxo.com/bulliqi-kufiri-kosove-mali-zi-nuk-eshte-njejte/

Pas paraqitjes së raportit nga Komisioni, Qeveria mori vendim që t’ia procedojë Kuvendit edhe Marrëveshjen e demarkacionit edhe raportin e Komisionit.