Zbutja e Fjalëve për 8 Mars
Artistes Alketa Xhafa-Mripa, autores së instalacionit “Mendoj për ty” që u kushtohej viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, i duken të panevojshme për të komentuar ndryshimet e fjalëve të disa politikanëve për gratë, nga fyese në ditët tjera, te përkëdhelëse për 8 Mars.
“ Thjesht përgjigjja ime është ‘no koment,’” thotë ajo për KALLXO.com.
“Sot shënojmë ditën tuaj që jeni dhe mbeteni simbol i jetës në tërësi, simbol i qytetërimit, zhvillimit dhe civilizimit të vendit. Ju uroj për këtë ditë simbolike! Çdo ditë është ditë e juaja,” thuhet në urimin e Kryeministrit Mustafa në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Por më 20 shkurt të këtij viti, i pari i qeverisë së vendit shkroi fjalë krejt tjera për gratë. “Janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi,” shkroi Mustafa në profilin e tij në facebook.
Edhe kryeparlamentari Veseli ua uroi festën grave me fjalë të zgjedhura për to.
“ Të dashura zonja, ju ftoj që së bashku ta ndërtojmë një Kosovë ku secila grua të ketë të drejta të barabarta, një Kosovë ku gratë janë sipërmarrëse të suksesshme, profesoresha, mësuese…,” uroi Veseli për 8 Mars.
Por më 24 tetor të vitit të kaluar Veseli në Kuvend iu drejtua një deputeti me fjalët “çka po bërtet si grue e keqe”.
Veseli kërkoi falje më pas për këto fjalë, ndërsa Mustafa pa kërkuar falje largoi fjalën “kullotë” nga postimi i tij.
Për Trina Binakun, studenten e Fakultetit Filozofik, fjalori i përdorur për 8 Mars nga të gjithë është shumë fals, e sidomos fjalët e Isa Mustafës e Kadri Veselit në këtë ditë.
“Është një vetëdije fallco. Krejt është mirë , krejt jemi të barabartë në Kosovë dhe që unë ty po ta uroj 8 Marsin, edhe harroje çka ka ndodh dje,” tha Trina Binaku.
Binaku thotë se politikanët po e tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë kur po janë vetëm e pa këshilltarë.
“Krejt retorika e tyre politike modifikohet prej njerëzve që këto sene i shohin më ndryshe dhe në momentin kur mendojnë me kokën e vet, dhe me fjalët e tyre, rrëshqasin në kontekstin patriarkal, njëjtë siç ndodhi në Kuvend. Në atë moment që nuk po i kanë këshilltarët afër që me ju tregu çka me folë, ata edhe po tregojnë se çka mendojnë në të vërtetë,” tha Binaku.
Binaku mendon se edhe Mustafa ishte vetëm kur shkroi për “gratë qi kanë kullotë fondet”.
“Njëjtë edhe Isa Mustafa kur po shkruan vetëm në mbrëmje, e që po supozoj që ka qenë vetëm (pa këshilltarë), na quan kafshë, duke thënë gra që kullosin fonde, ndërsa për 8 mars na quan simbol i jetës,” tha Binaku.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejtat dhe liritë e njeriut duke përfshirë edhe Konventën për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas .
Në Kushtetutë, barazia gjinore konsiderohet si vlerë themelore e shoqërisë duke theksuar “Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore” .
Në parlamentin e Kosovës, 30 për qind e deputetëve janë të “gjinisë së bukur”, ndërsa një ministri dhe një komunë në Kosovë drejtohet nga gratë, kurse është edhe një ministre pa portofol.
Por Trina Binaku thotë se femrat në Kosovë nuk kanë arsye për festë.
“364 ditë të vitit na shkelen të drejtat dhe qe një ditë po ta dhuroj një lule, çka me të uru?? Kurgjo hiq, vrasje, dhunime, ngacmime seksuale, të gjitha ndodhin çdo ditë dhe nuk mendoj që kemi diçka për me festu,” tha studentja Binaku.
Njësoj si ajo menduan edhe disa gra të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës që protestuan për 8 Mars.
“Marshojmë s’festojmë sepse kemi një Kryeministër i cili dje na tha se kemi dalë me kullotë, e sot na quajti simbole,” tha Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës.
KALLXO.com tentoi ta marrë edhe mendimin e Blerta Deliut, kryetares së Grupit të Grave Deputete të Kosovës në lidhje me deklaratat e ndryshme të Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit për gratë më * mars dhe ditëve tjera, por kontakti me Deliun ishte i pamundur.
Deputetja Deliu në një aktivitet të Grupit të Grave Deputete për 8 Mars tha se askush si kosovaret nuk e di çdo të thotë të jesh gua në një vend që pësoi ghjithë ato ndryshime.
“ Po shënojmë për të mos harruar, sepse askush si ne kosovarët nuk e di më mirë se çdo të thotë të jesh grua, në një vend ku për disa dekada ka ndryshime rrënjësore, të sistemeve politike, statusit politik dhe të zhvillimit demokratik,” tha Deliu.
Por deputetja nuk ka reaguar ndaj fjalëve të vjetme të Kadri Veselit dhe atyre të sivjetme të Isa Mustafës për gratë.
http://kallxo.com/grate-deputete-akuzojne-dhe-mbrojne-kadri-veselin/ [interaction id=”56e0aabd518248f65e63e452″]