Struga - Foto: Facebook

Komuna e Prizrenit dërgon zyrtaret komunale në Strugë për 8 Mars

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Komuna e Prizrenit ka dërguar zyrtaret e kësaj komune drejt qytetit të Strugës. Komuna e Prizrenit ka nënshkruar kontratën në vlerë 985 euro me kompaninë “Zhur Tours” për transportin e zyrtareve komunale.

Kontrata është nënshkruar brenda tri ditëve nga inicimi i tenderit. Tenderi është inicuar më 05.03.2024 dhe është nënshkruar më 07.03.2024.

Në tenderin “Transporti i zyrtareve për 8 Mars në relacionin Prizren – Strugë dhe anasjelltas” kishte aplikuar vetëm një kompani, kompania “Zhur Tours”, e cila edhe është shpallur e përgjegjshme dhe e ka fituar tenderin.

Komuna e Prizrenit ka nënshkruar kontratën duke përdorur llojin e procedurës “vlera minimale” dhe kriter për dhënie të kontratës ka qenë çmimi më i ulët.

Për kontratën për transportin e zyrtareve komunale Komuna e Prizrenit kishte parashikuar të shpenzojë 985 euro, për aq sa edhe është nënshkruar kontrata.

8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas.

Filloi si Dita Kombëtare e Gruas në Shtetet e Bashkuara në shkurt 1909. Një vit më pas, në Konferencën e dytë Ndërkombëtare të Grave Punëtore në Kopenhagë, Danimarkë, aktivistja për të drejtat e grave Clara Zetkin bëri thirrje për një ditë ndërkombëtare të gruas për t’i dhënë grave më shumë zë për të çuar përpara kërkesat e tyre për të drejta të barabarta.

Dita Ndërkombëtare e Gruas u shënua për herë të parë në mars 1911, dhe për datën 8 Mars, u vendos në vitin 1913. OKB-ja e festoi për herë të parë në 1975 dhe në 1996 shpalli temën e saj të parë vjetore: “Të festojmë të kaluarën, të planifikojmë per te ardhmen”.