HIB Petrol mbështet Shoqatën e të Verbërve “Jakova” për realizimin e aktiviteteve për 8 Mars

Për të promovuar gjithpërfshirjen dhe për të festuar talentet e personave të verbër dhe me shikim të dobësuar, HIB Petrol ka vendosur një bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve “Jakova” për të mbështetur realizimin e aktivitetit për nder të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Shoqata e të Verbërve “Jakova” me seli në Gjakovë, ka të regjistruar rreth 400 persona të verbër dhe me shikim të dobësuar. Ndër vite, kjo shoqatë është e përkushtuar në fuqizimin e anëtarëve të saj, shumica prej të cilëve përballen me sfida të ndryshme e kushte të vështira financiare. Kështu, në shoqatë, ata gjejnë një hapësirë për të biseduar për problemet e tyre dhe një vend ku mund të ndjehen se janë pjesë e komunitetit.

“HIB Petrol, me shumë kënaqësi ka pranuar thirrjen për mbështetje nga kjo shoqatë. HIB Petrol që nga themelimi, gjithmonë i ka dhënë rëndësi përgjegjësisë sociale dhe rolit filantropik në shoqëri. HIB Petrol beson se duke ndihmuar komunitetin krijohet një lidhje e fuqishme që më pas sjell ndryshime pozitive në shoqëri” ka thënë Adelina Asllani, udhëheqëse e Zyrës për Komunikim dhe Marrëdhënieve me Publikun. 

Shoqata e të Verbërve “Jakova” çdo vit organizon aktivitete të tilla me qëllim që anëtarët e shoqatës të shfaqin talentet e tyre. Njëkohësisht shërben si një platformë për të ngritur vetëdijen e publikut të gjerë rreth personave të verbër dhe me shikim të dobësuar. Luan rol edhe si qendër avokuese që ata mund të jenë pjesë e barabartë e shoqërisë dhe pjesë e aktiviteteve të ndryshme.

Eventi përfshin disa aktivitete si: organizimi i një tryeze të rrumbullakët ku do të diskutohet për rolin, angazhimet, të arriturat dhe pengesat e grave si pjesë e shoqatës “Jakova”, si dhe do të ketë edhe gara sportive në go-ball dhe shah.

Mbështetja e dhënë nga HIB, konfirmon edhe njëherë dedikimin e kompanisë për të ndihmuar shoqërinë duke rritur ndjenjën e përfshirjes në komunitet.