Albin Kurti mban fjalim në marshin protestues për Astrit Deharin - Foto: KALLXO.com

Vetëvendosje i Jep Ultimatum Qeverisë për ‘Rastin Dehari’

Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës në lidhje me vdekjen e aktivistit të saj, Astrit Deharit, një vit më parë në qelinë e burgut në Prizren.

Gjatë marshit protestues në njëvjetorin e vdekjes së Deharit, Vetëvendosje ka futur në oborrin e Qeverisë një pankartë, në të cilën shkruan: Qeveria e Republikës së Kosovës ka afat për t’i plotësuar këto kërkesa deri më 5 shkurt 2018.

Në mesin e kërkesave është lejimi dhe nisja e hetimeve të pavarura dhe të gjithanshme sipas kërkesës së Familjes  Dehari dhe avokatit.

Kërkesa tjetër është shkarkimi nga pozitat zyrtare për t’i hapur rrugë hetimeve e këtyre zyrtarëve:  Dhurata Hoxha (ish-ministre e Drejtësisë, tani ministre e Integrimit), Shpend Maxhuni (drejtor i përgjithshëm i Policisë), Nexhmi Krasniqi (komandant i Policisë Rajonale në Prizren) dhe Fatos Makollit (drejtor i Njësisë Kundër Terrorizmit).

Në një fjalim para qindra pjesëmarrësve në marshin protestues, deputeti Albin Kurti tha se u bë një vit e po duket si një shekull pa Astritin.

“Një vit më parë Astriti u bë dëshmori më i ri i Kosovës e shqiptarisë”, shtoi Kurti, duke e quajtur atë model të një militanti të një subjekti.

Kurti tha se janë mbledhur sot jo për të vajtuar por për të kërkuar drejtësi për Astritin.

“Ndaj vrasësve të tu nuk do të hakmerremi. Sepse e dimë se as ti kurrë nuk e ke dashur hakmarrjen. Por drejtësia do të vihet në vend. Pa kompromis”, shtoi Albin Kurti.

Më tej Albin Kurti tha se i japin Qeverisë afat deri më 5 shkurt 2018 për të shkarkuar nga detyrat zyrtarët që sipas tij janë përgjegjës për vdekjen e Astrit Deharit dhe do ta pengonin një hetim ndërkombëtar: Dhurata Hoxha, Shpend Maxhuni, Nexhmi Krasniqi, Sylë Hoxha, Fatos Makolli, Metush Biraj dhe Abdurrahim Islami.

Ndërsa, në një postim në “Facebook”, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj premtoi se drejtësia për Astrit Deharin do të ndodhë.

http://kallxo.com/haradinaj-drejtesia-per-astrit-deharin-te-ndodhe/

Ndërkohë, sot është organizuar marsh protestues në njëvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit.

Gjatë marshit, të cilin KALLXO.com e transmetoi LIVE, u kërkua drejtësi për Astritin, i cili ka vdekur në qelinë e burgut të Prizrenit në rrethana ende të pasqaruara mirë më 5 nëntor 2016.

Dehari po mbahej në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit si i dyshuar për sulm me mjet shpërthyes kundër objektit të Qeverisë së Kosovës natën e 4 gushtit 2016.