FOTO: LVV facebook

Kuvendi pa kuorum për themelimin e Komisionit hetimor për zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit, nuk është themeluar sot në Kuvend në mungesë të kuorumit.

Kryetari Glauk Konjufca ka thënë se në votim morën pjesë vetëm 30 deputetë ndërsa një pjesë prej tyre nuk votuan.

Ai ka thënë se kjo pikë do të bëhet pjesë e seancës së ardhshme kurdo që caktohet për t’u mbajtur.

Konjufca votoj pro themelimit të këtij komisioni, për dallim nga deputetët e pozitës që nuk kanë marrë fare pjesë në votim.

PDK ka propozuar themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu – Kodra tha se IML dy herë brenda vitit u dëmtua nga zjarret e dyshimta.

“Kemi insistuar të ketë hetim. Dyshimet janë të mëdha se për qëllime të caktuara të pushtetit aktual, ky institut është kthyer në cak të sulmeve dhe instrument politik të këtij pushtetit”- ka thënë ajo.

Ndërsa ditë më parë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se themelimi i një komisioni hetimor për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga IML është i rëndësishëm.

Më 8 dhjetor 2022, është bërë e ditur se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Ministria e Drejtësisë më pas njoftoi se ka pezulluar nga puna katër zyrtarë të IML-së në lidhje me rastin.

Sipas njoftimit, komisioni disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore kishte marrë vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve.

 

A do të themelohet komision hetimor parlamentar rreth zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit?