Apeli vendos për katër të akuzuarit për sulmin terrorist në Kuvendin e Kosovës
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë për Frashër Krasniqin, Adea Batushën, Egzon Halitin dhe Atdhe Arifin, të akuzuar për sulmin terrorist në Kuvendin e Kosovës në gusht të vitit 2016.
Sot bëhen një vit që kur të njëjtit u liruan nga akuzat në mungesë të provave nga Gjykata Themelore e Prishtinës pas rigjykimit. Vendimin për lirim e kishte marrë trupi gjykues me kryetarin Vesel Ismaili dhe anëtaret Violeta Namani dhe Suzana Qerkini.
E pakënaqur me këtë vendim Prokuroria Speciale bëri ankesë në Gjykatën e Apelit në mars të këtij viti ku kërkoi që aktgjykimi të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Këtë ankesë Gjykata e Apelit e refuzoi si të pabazuar dhe kështu e vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë.
Vendim ky i marrë nga kolegji i Apelit i përbërë nga Kreshnik Radoniqi – kryetar dhe anëtarët Vaton Durguti dhe Bashkim Hyseni.
Në arsyetimin e vendimit të Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë në aktgjykim ka dhënë arsyeje të qarta dhe të mjaftueshme nga të cilat ka ardhur në përfundim të drejtë dhe se nga provat e administruara gjatë gjykimit nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën për të cilën akuzohen.
Kujtojmë se rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, ky rigjykim kishte filluar në mars të vitit 2020.
Ndërkaq, në gjykimin e parë që është mbajtur lidhur me rastin gjykata e shkallës së parë kishte dënuar Atdhe Arifin me 6 vjet dënim me burgim, Frashër Krasniqin me 8 vite burgim, Egzon Halitin me 5 vite e gjysmë burg im dhe Adea Batushën me 2 vite dënim me burgim.
Arifi, Krasniqi, Haliti dhe Batusha akuzoheshin nga Prokuroria Speciale në Prishtinë për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.
Lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana ende të paqarta.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të akuzuarit kishin vepruar si grup i organizuar “me qëllim që të shkaktojnë frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Aktakuza thotë se qëllimi i të akuzuarve ka qenë në Kuvendi i Kosovës të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. Kështu, sipas aktakuzës, më 4 gusht të vitit 2016 nga parkingu përballë Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin.