Foto: Albin Kurti, Facebook
Kurti përkujton Adem Demaçin dhe Astrit Deharin
Kryeministri i vendit, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka përkujtuar Adem Demaçin dhe Astrit Deharin në ditëlindjen e tyre.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Demaçi dhe Dehari kanë një të përbashkët.
“Adem Demaçi dhe Astrit Dehari kanë një të përbashkët rastësore, për çfarë dhe po i kujtojmë sot të dy së bashku. Ata e kanë ditëlindjen në të njëjtën datë, më 26 shkurt” – ka shkruar Kurti.
“Nëse ende do të ishin mes nesh, sot Baca Adem do të bëhej 88 vjeç, kurse Astriti do t’i mbushte 34 vite jetë. Por fati i tyre ishte i atillë që Adem Demaçi i kaloi 28 vite në burg, kurse Astrit Dehari ishte ende vetëm 26 vjeçar kur u mbyt në burg” – shkroi kryeministri Kurti.
Ai e ka përmendur edhe bashkëpunimin e dikurshëm me Adem Demaçin në kuadër të Zyrës Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë.
“Një disident i pathyeshëm, një adhurues i Hegelit që leximet i shoqëroi me praxis politik, një shkrimtar shumë origjinal dhe një simbol i rezistencës dhe i përpjekjes për liri, Adem Demaçi është një personalitet krejt unik në historinë politike të Kosovës dhe të shqiptarëve” – ka shkruar Kurti.
Ndërsa, ai përmendi edhe angazhimin politik të ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari.
“Student i shkëlqyer i mjekësisë, aktivist me vetëdije të qartë politike dhe shok shembullor, Astrit Dehari vdiq në rrethana ende të pasqaruara dhe të paadresuara plotësisht nga drejtësia” – thuhet tutje në reagimin e Kurtit.
Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi vdiq më 26.07.2018 në Prishtinë. Ai ishte i burgosur politik për rreth 28 vjet në Serbi.
Ndërsa, aktivisti politik, Astrit Dehari vdiq më 05.11.2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.