Haxhiu jep detaje për intervistimin e saj për rastin e Deharit, akuzon prokurorinë për mosveprim

Pasi që u intervistua lidhur me rastin e Astrti Deharit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbajtur konferencë për media ku ka dhënë detaje për intervistën dhe ka akuzuar Prokurorinë Speciale për mosndërmarrje të veprimeve për të zbardhur rastin.

Haxhiu tha se është intervistuar vetëm nga tre policë, ndërsa nuk ka qenë prokurori special dhe i është bërë vetëm pyetja “Cilat janë ato prova dhe kush janë kryerësit?”.

Ajo po ashtu tha se nuk e kupton pse prokurori ka urdhëruar që avokati i familjes të mos jetë gjatë intervistimit të saj dhe tha se mbështesin dëshirën e familjes Dehari për ndërrim të prokurorit të rastit, Afrim Shefkiu.

Haxhiu u ftua për intervistë nga Prokuroria Speciale pas një postimi të saj në rrjete sociale të datës 5 nëntor 2023, ku ndër të tjera ka thënë se provat ekzistojnë dhe krejt çka duhet është vullneti i organeve të rendit e drejtësisë.

“Nuk ka qenë hera e parë që kam thënë një gjë të tillë. Shtrohet pyetja pse prokurori reagoi tash dhe jo atëherë? A ka reaguar njësoj prokurori special ndaj deklaratave të zyrtarëve të shtetit që kishin thënë se Astrit Dehari është vetëvrarë? A ka reaguar po aq shpejt ndaj veprimeve të kundërligjshme të zyrtarëve përgjegjës në rastin Dehari? Një sërë episodesh janë zhvilluar gjatë këtyre viteve por prokurori nuk ka treguar të njëjtin zell” – deklaroi Haxhiu.

Ajo tha se po ta kishte emrin e kryerësit apo kryerësve nuk do ta priste ftesën e kryeprokurorit për ta thënë atë emër.

“Ka mjaftueshëm arsye për t`u brengosur pse përkundër shumë veprimeve të dyshimta që kanë ndodhur që nga vdekja e dyshimtë e Astrit Deharit nuk janë zhvilluar ende hetime të mirëfillta. Të gjitha këto i kam përmendur edhe gjatë dëshmisë në polici” – tha ministrja.

Ajo tha se ato janë deklaratat kundërthënëse nga ish-Kryeprokurori Sylë Hoxha dhe ish-Komandanti për rajonin, Nexhmi Krasniqi, që Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje, publikimi i video-incizimeve, ngjarjet që lidhen me shokët e dhomës së Deharit, e të tjera.

“A janë marrë në pyetje Sylë Hoxha dhe Nexhmi Krasniqi? A ka pasur ndonjë hetim se kush i ka nxjerr kamerat pa autorizim? Kush ka planifikuar e ndihmuar? A ka pasur hetime për vdekjen e dyshimtë të Makollit, për çfarë është ankuar në kuptimin shëndetësor ai dhe për çfarë arsye ka ndërruar jetë? Adonis Gashi sa ishte në arrati deklaronte përmes rrjeteve sociale se e dinte se çka ka ndodhur me Astritin dhe nëse i jepej mundësia do të fliste. Pas arrestimit është marrë në pyetje sërish, por e ka kushtëzuar dhënien e deklaratave me rastin për të cilin e vuan dënimin. Informatat nga ai janë me peshë për procesin. Pse nuk gjendet mënyra për t’i pasur ato informacione” – ishin disa prej pyetjeve të ngritura nga ministrja Haxhiu.

Ajo po ashtu përmendi edhe Luza Llakajn, po ashtu shok i dhomës së Deharit, për të cilin tha se ish-Presidenti, Hashim Thaqi i ka hequr 3.5 vite nga dënimi për vrasjen e 13-vjeçarit.

“Siç po e shihni të gjithë shokët e dhomës së Astrit Deharit ose kanë vdekur ose janë privilegjuar ose nuk janë shfrytëzuar sa duhet” – deklaroi Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë tha se në raportin e fundit të Insitutit Zviceran thuhet se trupi i Deharit është prova më e papërdorur, ndërsa në raportin e parë të Institutit Zviceran thuhet se kanë munguar mostrat e thonjve.

“Kush janë përgjegjësit që kanë dërguar zarf te Instituti se kinse ka prova, por që brenda ka qenë i zbrazët. Ku janë thonjtë e Astrit Deharit? Në raportin e parë thuhet se një fije floku ka qenë në trupin e Astritit, por që nuk është trajtuar. Raporti i ekspertëve zviceran nga Llozana ka konstatuar përfshirjen e  personave të tretë duke deklaruar se shkencërisht përjashtojnë hipotezën e vetëvrasjes” – shtoi më tej ajo.

Ministrja kërkoi përgjegjësi edhe për atë që tha se në raportin e fundit thuhet se u janë dërguar mostra të papërdorshme që janë dëmtuar për shkak të ambalazhimit joprofesional.

Haxhiu përmendi edhe gjetjet e inspektimit të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, të bërë me kërkesë të saj në fillim të mandatit dhe pyeti se çfarë është vepruar më pas nga prokuroria.

Sipas saj, nuk është bërë asgjë për ta zbardhur rastin dhe veprimet kanë qenë minimale ndonëse tha se mundësitë kanë qenë dhe ekzistojnë ende.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka vdekur më 5 nëntor 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Ai kishte qenë në paraburgim, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të datës 4 gusht 2016.

Rrethanat e vdekjes së 26-vjeçarit ende mbetën të pasqaruara dhe nuk dihet se çfarë saktë kishte ndodhur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit, ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astritit, prindërit dhe avokati Tomë Gashi kërkuan ekspertizë nga Instituti i Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Në raportin e bërë më 24 dhjetor, Instituti i Mjekësisë Ligjore i Lozanës në Zvicër pati dhënë dhënë komentet se vdekja e Deharit ka pak mundësi të jetë vetëvrasje.

“Në rastin e z.Dehari, nëse e pranojmë hipotezën e vetëvrasjes, të dy metodat do të ishin përdorur në mënyrë sekuenciale, e para ka të bëjë me përdorimin e një objekti të mprehtë në pjesën e qafës dhe të kyçit të majtë dhe e dyta ka të bëjë me ngufatjen e llojit smithering me një shishe të plastikës. Megjithatë kjo hipotezë duket pak e mundshme për arsyet e më poshtme”, thuhej në raportin e Institutit zviceran.