FOTO: LVV facebook

PDK kërkon komision hetimor për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se themelimi i një komisioni hetimor për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga IML është i rëndësishëm.

Tahiri ka thënë se shpreson që të votohet nga shumica themelimi i këtij komisioni.

“Çështja tjetër është komisioni hetimor për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në IML dhe si grup parlamentar e kemi denoncuar dy herë zjarrvëniet në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Zjarrvënia e fundit ka shkaktuar edhe dëme. Themelimi i një komisioni hetimor është i rëndësishëm. Shpresoj që të votohet edhe nga shumica”- tha Tahiri.

Më 8 dhjetor 2022, është bërë e ditur se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Ministria e Drejtësisë më pas njoftoi se ka pezulluar nga puna katër zyrtarë të IML-së në lidhje me rastin.

Sipas njoftimit, komisioni disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore kishte marrë vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve.

Si u raportua vdekja e Astrit Deharit?

Më 5 nëntor të vitit 2016, në orët e para të mbrëmjes u raportua për një vdekje të një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Vetëm pak minuta më pas u raportua se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari, i cili aty po qëndronte nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhëse në Kuvendin e Kosovës.

Deklarata e parë nga Policia e Kosovës në atë kohë ishte se Dehari kishte vdekur si pasojë e medikamenteve. Këtë deklaratë e kishte thënë për KALLXO.com ish-drejotri i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili për një kohë të gjatë kishte mohuar se kishte dhënë këtë deklaratë.

Vdekja e Astrit Deharit, menjëherë u cilësua si e dyshimtë, ndërsa u kërkua që ndaj tij të bëhej edhe autopsia nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, i cili tash është në pension, pesë vite më parë kishte thënë se Astrit Dehari kishte pasur shenja në qafë.

“E kam pa trupin e viktimës, ka gërvishtje në qafë e në duar (por jo gjak). Kemi informata se ka përdorë medikamente, mirëpo asgjë në shumë nuk mund të themi për momentin. Jemi në pritje të ekipeve të mjekësisë ligjore për detaje më të sigurta”, kishte thënë Hoxha në një prononcim për KALLXO.com në atë kohë.

Në ditën kritike, menjëherë u njoftua edhe se Ministria e Drejtësisë në atë kohë e udhëhequr nga ish-ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, se kishin filluar hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

Një ditë ma pas, Lëvizja Vetëvendosje kishte mbajtur një konferencë, në të cilën Visar Ymeri kishte thënë se Dehari po mbahej në paraburgim për një rast të montuar sipas tij.

Astrit Dehari kishte vdekur në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.

LVV në atë kohë tha se vdekja e Astrit Deharit ishte përgjegjësi institucionale. Dyshime rreth vdekjes së Astrit Deharit pati edhe familja e tij.

Më datë 7 nëntor të vitit 2016, u krye edhe autopsia e trupit të Astrit Deharit ndërsa, Sylë Hoxha atë kohë kishte dalë me deklaratë se ish-aktivisti i LVV-së kishte vdekur si pasojë e asfiksisë apo problemeve me frymarrjen.