Nderimi i ushtarëve te lapidari i Betejës së Zhegocit

Veseli në Zhegoc: Gjithçka që Kemi Meritë e Të Rënëve

Është kujtuar beteja e Zhegocit të Gjilanit në tetëmbëdhjetëvjetorin e saj.

Tetë ushtarët e UÇK-së të rënë në këtë betejë-Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi, Sahit Baftiu, Shahin Baftiu, Kastriot Baftiu, Njazi Osmani, si dhe 18 civilë, u kujtuan sot nga të afërm, zyrtarë komunalë e shtetërorë, por edhe qytetarë tjerë.

Në përkujtimin që iu bë dëshmorëvë në Zhegoc, i pranishëm ishte edhe i pari i PDK-së dhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Ai tha se gjithçka që ka Kosova dhe që zhvillohet është meritë e të rënëve për atdhe.

“Institucionet e vendit, janë gjithnjë në shërbim të vlerave të larta të luftës, të sakrificës dhe veprës më sublime të një vendi i cili lufton për lirinë e vet dhe këtë e arrin edhe me mbështetjen e botës perëndimore”, tha Veseli.

Ish- komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmeti Isufi para të pranishmëve tha se familjet e dëshmorëve duhet të jenë krenarë për sakrificat që i kanë bërë familjarët e tyre për të mirën e popullit.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, tha se Beteja e Zhegocit u bë për liri, pavarësi dhe zhvillim të vendit.

“Malësia e Zhegocit ishte shndërruar në arenë të ashpër të luftimeve me rënien e flijimin sublim në altarin e lirisë. Komuna e Gjilanit, qytetarët e saj dhe gjithë shqiptarët janë gjithmonë krenarë me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila kishte ideal lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit”, tha Kadriu.

Gjatë këtij përkujtimi zyrtarë të FSK-së, dërguan kurora lulesh në lapidarin e dëshmorëve të vendosur në mes të fshatit Zhegoc.