Kuvendi nesër mban seancë solemne për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne më 05.03.2024 për të shënuar 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.

Seanca është paraparë të mbahet në ora 10:00h.

Më 5 mars në Kosovë fillon Epopeja e UÇK-së, që këtë vit shënon 26-vjetorin e rënies së komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

KALLXO.com më 01.03.2024 ka transmetuar rrëfimin e plotë të inxhinierit Lahudin Myrtajt për Kullat në Prekaz, që është një alarm për institucionet.

Myrtaj, me profesion inxhinier, në vitin 2000 është angazhuar nga Shtabi i UÇK-së në Prekaz për të bërë një konservim emergjent të shtëpive të Jasharëve, të cilat u shkatërruan nga forcat serbe në sulmin e marsit të vitit 1998.

Ai ka folur për herë të parë në emisionin “Kallxo Përnime” për ndërtimin e skelave.

Skelet që janë të vendosura kanë qenë të menduara për emergjencë, pra që të ndalojnë dëmtimin e këtyre shtëpive.

Edhe platformat e drurit po ashtu kanë qenë të vendosura për emergjencë, sa për t’ua mundësuar vizitorëve të ecin e të shohin shtëpinë.

Myrtaj ka thënë se s’ka besuar që edhe pas 24 vjetëve, askush s’ka intervenuar që të bëhet një konservim profesional i këtij Memoriali.

Ai ka shtuar se nuk ka dhënë garanci që këto skele do të qëndrojnë mbi 24 vjet.

“Këto shtëpi duheshin të ruheshin si nga faktori njeri, si nga faktori kohë, Prej meje si inxhinier i ndërtimit kanë kërkuar që ta udhëheq këtë konservim, këtë mbulim të këtyre objekteve me këto materiale të asaj kohe, Pothuajse afër 60 ditë kemi punuar pandërprerë. Nuk kam besu që 24 vjet ky kompleks do të mbetet në këtë formë” – tha Myrtaj.

Ai shtoi se në atë kohë ndonëse u kanë munguar mjetet e punës, vullneti ka qenë për ta konservuar këtë kompleks.

“Na kanë mungu mjetet, kemi punuar me mjete të thjeshta, krejt me dorë i kemi punu, por vullneti i atyre punëtorëve të cilët as nuk i kam njohur, kemi punu tërë ditën edhe në atë të ftohtë, deri më 3 mars është bo ky konservim” – tha Myrtaj.

Ai ka rrëfyer edhe për idenë që kullës t’i vendosen disa platforma (dërrasa) nga jashtë në mënyrë që vizitorët të mos hynë brenda.

“Kur kanë hyrë vizitorët brenda, edhe kanë dëmtu ngapak, kanë marrë ndonjë relikt se pas lufte ka pasur gjithçka edhe është mendu që të mbrohet edhe mos të hyjnë njerëzit brenda, por me hy vetëm te këto platforma. Tri platforma janë dhe e kam përdorë metodën e marimangës” – tha Myrtaj.

Por Myrtaj ka shtuar se sot nuk do guxonte që ta bënte punën që e ka bërë para 24 vjetëve në Kompleksin memorial “Adem Jashari”.