Presidenti Hashim Thaçi e komisioneri Johannes Hahn (Arkiv) - Foto: Facebook

Thaçi: Qytetarët Janë Lodhur nga Raportet e Shumta, Duan Liberalizim

Presidenti i Republikës Hashim Thaçi ka komentuar raportin e Komisionit Europian për Kosovën.

Ai ka kërkuar nga të gjitha institucionet vendore që të reflektojnë për të gjeturat e raportit dhe të adresohen problemet dhe sfidat.

Ai kërkuar nga BE-ja që sa më shpejt ta përmbyllin çështjen e liberalizimit të vizave pasi që, sipas tij, qytetarët janë lodhur nga raportet e shumta.

“E përshëndes faktin që ky raport ka reflektuar pozitivisht rreth procesit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Prandaj, e konsideroj çështje urgjente që ky proces të mbyllet sa më shpejt nga ana e BE-së, sepse qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta. Tani është momenti për diçka konkrete. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa humbur kohë”, ka shkruar Presidenti Thaçi në Facebook.

Tutje presidenti Thaçi ka kërkuar që Kosovës t’i statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Kosova ka nevojë të ketë qartësi në rrugën e saj evropiane dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet tjera të rajonit. Pavarësisht sa e komplikuar mund të jetë një gjë e tillë për BE-në, në mungesë të një perspektive të qartë, gjithçka tjetër mund të sjell komplikime dhe pasoja jo vetëm për Kosovën por edhe gjithë rajonin”, ka shkruar në fund ai.

Përmes një statusi tjetër në Facebook, i pari i vendit ka uruar homologët e tij në Shqipëri dhe Maqedoni për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.