Foto: ALSAT-M/Facebook

Thaçi garanton Zaevin: ‘Korrigjimi i kufijve’ nuk e prek Maqedoninë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e siguroi sot kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, se një marrëveshje me Serbinë e cila mund t’i prekë kufijtë e këtyre dy vendeve nuk do të ketë efekt për Maqedoninë.

Thaçi ka shkuar të mërkurën në Shkup në kuadër të një turi vizitash në shtetet e rajonit.

Vizita e tij në Maqedoni përkon me vigjilien e referendumit të këtij shteti për emrin, pas një marrëveshjeje të arritur muaj më parë me Greqinë.

Presidenti Thaçi tha se pas marrëveshjes Maqedoni- Greqi, e kanë radhën Kosova dhe Serbia ta arrijnë marrëveshjen e tyre, të cilën ai e quajti historike përfundimtare.

“Nuk do të jetë e lehtë të arrihet një marrëveshje historike përfundimtare e paqes që nënkupton njohjen reciproke Kosovë- Serbi. Është rruga e vetme që Kosova të ecë drejt perspektivës euro- atlantike por edhe Serbia drejt perspektivës europiane”, tha Thaçi në një konferencë për shtyp.

“Marrëveshja do të jetë shumë e vështirë për t’u arritur, me plot vështirësi, plot pengesa, por është më mirë ta arrijmë tash këtë marrëveshje se sa pas një apo dy dekadave. Ne nuk kemi të drejtë ta mbajmë peng të ardhmen e gjeneratave të reja kështu që do të bëjmë përpjekje maksimale ta arrijmë marrëveshjen historike me Serbinë”, shtoi ai.

“Nuk do të ketë zgjidhje të vijave etnike. Çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë marrëveshje me të cilën ju do të ndiheni komodë, do të ndiheni mirë. Nuk do të bëjmë asnjë marrëveshje që cenon miqtë tanë, as Maqedoninë, as Shqipërinë, asnjë shtet tjetër”, tha Thaçi.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se Maqedonia mbështet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila do ta rriste stabilitetin në këto dy vende dhe në tërë rajonin.

Në këtë vizitë, Thaçi nuk do të pritet nga homologu i tij maqedonas, Gjorgji Ivanov, i cili është kundërshtues i marrëveshjes me Greqinë me të cilën shteti i tij do të quhet “Maqedonia e Veriut”.

Pavarësisht kësaj, Thaçi tha se “Kosova dhe Maqedonia nuk e kanë asnjë çështje të hapur”.

“Përkundrazi janë dy shtete mike me bashkëpunim të shkëlqyeshëm institucional”, tha Thaçi.

Ai inkurajoi votuesit në Maqedoni që ta mbështesin zgjidhjen përmes referendumit të 30 shtatorit.

“Me autoritetin tim modest, në emër të Kosovës, ftoj të gjithë njerëzit, qytetarët e Maqedonisë, pa dallim që të marrin pjesë në referendum dhe natyrisht të votojnë ‘pro’. Maqedonia në NATO është paqe për krejt rajonin, duke përfshirë këtu edhe Kosovën”, tha Presidenti Thaçi.